Maqedoni

Komiteti për Punë të Jashtme në PE miratoi raportin për RMV-në

24.06.2025 14:23

Propozim-raporti për Maqedoninë e Veriut i kaloi filtrat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian...

Pas shtyrjes prej tri javëve, propozim-raporti për Maqedoninë e Veriut, i përgatitur nga raportuesi për vendin tonë, Tomas Vaic, i kaloi filtrat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian.  
 
“Tani përfundimisht të votojmë për raportin, ashtu siç është dorëzuar. Votimi u mbyll. 40 votuan “për”, 19 “kundër” dhe 10 “të përmbajtur”. Urime për raportuesin!”, - deklaroi kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, David MCallester.
 
Për raportuesin Vaic, dokumenti është i balancuar dhe është fryt i punës për gjetjen e kompromisit. Ai kërkon nga Bashkimi Evropian që ta ruajë vrullin aktual për ta çuar më tej procesin e zgjerimit të vendit tonë.
 
“Sot miratuam raportin e parë për Maqedoninë e Veriut në Komitetin për Punë të Jashtme. Jam i lumtur për tërë angazhimin që u investua në gjetjen e kompromisit që të mund ta miratojmë këtë raport të balancuar me shumicë të gjerë politike. BE-ja duhet patjetër të jetë e bashkuar me fqinjët e tij në peizazhin gjeopolitik me të cilin ballafaqohemi. Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian.”, thuhet në qëndrimin e raportuesit Vaic, dorëzuar shërbimeve të PE-së.
 
Debati u shoqërua me polemika nga eurodeputetët bullgarë, amendamentet e të cilëve u hodhën poshtë nga Komiteti dhe po ashtu edhe amendamenti i koordinatorit të Partisë Popullore Evropiane, Gala.
 
“Do të doja të parashtroj amendament në raport. Të vihet fjala “moderne” në katër vende para identitetit dhe gjuhës maqedonase.”, - u shpreh koordinatori i PPE-së, Mihael Gala.
 
“Pas seancës do të kem pozicion për pakicat dhe do t’ua prezantoj juve.”, - theksoi eurodeputeti bullgar, Ivajlo Valçev. 
 
Dokumenti bën thirrje për përparim të shpejtë në ndryshimet kushtetuese dhe reformat që lidhen me BE-në. Shprehet shqetësim për prapambetjen në luftën kundër korrupsionit dhe gjyqësorit të pavarur. Raporti tani do t’i paraqitet Parlamentit Evropian për votim gjatë seancës së ardhshme plenare midis kohës 7 dhe 10 korrik. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU