Maqedoni

Njëvjetori i Qeverisë, Fetai: Përforcohet lufta kundër korrupsionit

24.06.2025 15:15

Në shpalosjen e të arriturave për njëvjetorin e Qeverisë, ministrat qeveritarë kryesisht me qëndrime se kanë arritur rezultate të dukshme...

Në shpalosjen e të arriturave për njëvjetorin e Qeverisë, ministrat qeveritarë kryesisht me qëndrime se kanë arritur rezultate të dukshme, edhe pse sipas tyre, kanë trashëguar një sistem të shkatërruar. Nga Qeveria thonë se janë të vendosur të ndërtojnë një sistem ku drejtësia nuk është selektive dhe ku interesi publik vihet para interesave personale apo partiake. Filluam hapat e para për çlirimin  e institucioneve nga ndikimi i krimit dhe korrupsionit.
 
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, njoftoi se do të përforcohet bashkëpunimi me shoqërinë civile, sa i përket luftimit të korrupsionit. Theksoi se janë themeluar trupa të caktuara në nivel politik si për strategjinë për antikorrupsion, ashtu edhe për strategjinë për hetime financiare dhe konfiskim të aseteve të paligjshme si dy prioritete të veçanta në kuadër të Qeverisë. Pronat e patundshme shtetërore do të regjistrohen në një sistem të vetëm, ku qytetarët do të kenë qasje, ndërsa paralajmëroi se së shpejti me ngjyrë të veçantë të targave të regjistrimit do të parandalohet keqpërdorimi i veturave zyrtare.
 
“Karshi dënimeve të larta të korrupsionit në nivel të lartë kemi kërkesë të përsëritur çdo vit për rezultate konkrete, sa i përket konfiskimit të aseteve të paligjshme. Me strategjinë e re që miratuam javën e kaluar në Qeveri të vazhdojmë me punën e Komisionit shtetëror për hetime financiare dhe konfiskim të aseteve të paligjshme, por edhe do të krijohet edhe një këshill në nivel ministror, të cilin do ta kryesoj unë me pjesëmarrje nga të gjithë ministrat relevant dhe institucionet e tjera shtetërore, duke përfshi Prokurorinë dhe organet e drejtësisë në përgjithësi, në mënyrë që më në fund të zbatohen ligjet tona sa i përket konfiskimit të aseteve të paligjshme. Nesër hapet tenderi për blerjen e tabelave me ngjyrë të veçantë për veturat zyrtare dhe do të bëjmë maksimumin, në mënyrë që këto tabela të sigurohen dhe zbatohen nga të gjitha institucionet publike, që të përfundojë abuzimi me veturat zyrtare.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
 
Arritjet qeveritare brenda një viti u shpalosën edhe në arsim, transformim digjital, vetëqeverisje lokale dhe Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive. Me këtë rast u fokusuan në përpjekjet për decentralizmin e pushtetit qendror dhe rritjen e ingerencave të atij lokali përmes rritjes së buxhetit. Nga Qeveria u fokusuan edhe në rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, polici, kapitacionet dhe pensionet. Si shumë të rëndësishme përmendën edhe arritjen e marrëveshjes strategjike me Britaninë. Në sferën e arsimit u bënë disa ndryshime ligjore, ndërsa së shpejti do të fillojë procedura për ndërtimin e kampusit pranë universitetit "Nënë Tereza". Arritje të veçantë Qeveria e konsideron edhe mbylljen e 226 kazinove të paligjshme online. Brenda këtij viti janë siguruar 500 milionë euro për mbështetje të kompanive dhe komunave, për realizimin e projekteve kapitale.
 
FLORIJE KAMBERI