Maqedoni
Përfaqësimi adekuat, Ekzekutivi miraton propozim-ligjin, Mickoski: Garanci për të gjitha komunitetet
24.06.2025 15:18
Qeveria i dha dritë jeshile propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione....

Qeveria i dha dritë jeshile propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se propozim-ligji është garanci se komunitetet do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë. Ligji jep shanse të barabarta duke u kujdesur edhe për cilësinë, tha kryeministri, i cili nënvizoi se hapi i radhës do të jetë marrja e mendimit nga komisioni i Venedikut.
“Të gjithë ata që do të aplikojnë do të duhet të dëshmojnë se kush janë dhe sipas ligjit kjo parashikohet të bëhet me letërnjoftim ose dokument tjetër, që në përputhje me ligjin identifikon personin. Në frymën e interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve është punuar muajt e fundit për sjelljen e këtij propozim-ligji dhe asgjë nuk ka qenë kontestuese. Sa i takon metodologjisë, kjo në mënyrë shtesë do të përpunohet pasi të formohet trupi koordinues, i cili do të koordinojë njërin nga nënkryetarët e Qeverisë, e që do të ketë për qëllim të mbikëqyrë zbatimin e ligjit.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: Betonon frymën e Marrëveshjes së Ohrit
Edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti tha se propozim ligji avancon çështjen e përfaqësimit, krijon mundësi të barabarta për të gjitha bashkësitë dhe është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Mexhiti tha se ligji po vjen pas njëzet vitesh, edhe pse është dashur të miratohet në vitin 2003. Mexhiti i quajti kontradiktore deklarimet e opozitës shqiptare për kthimin e balancuesit. Sipas tij, opozita e ka eliminuar balancuesin në qeverinë Kovaçevski dhe më pas e ka premtuar edhe në fushatën e kryeministrit shqiptar.
“Në fushatën “Pse jo” të kryeministrit shqiptar të zotëri Ziberi në atë program, ndër pesë pikat kryesore ka qenë edhe premtimi që balancuesi duhet të hiqet dhe duhet të zëvendësohet me zgjidhje ligjore, pra nuk kanë pasur as guximin që ta thonë në mënyrë taksative që duhet të sillet ligj i posaçëm. Po të ishte vepruar në këtë mënyrë, të ishin zgjedhur në mënyrë ligjore nga dy-tre ligje në vit, për njëzet vite sot do të kishim 70 deri në 80 ligje, të cilat do ta kishin mbyllur Marrëveshjen e Ohrit.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Propozim-ligji pasi të shqyrtohet në Komisionin e Venedikut do të dorëzohet në Parlament për miratim. Sipas kryeministrit, ndërmjet këtyre dy proceseve do të ketë edhe debat publik, ndërkaq gjatë procedurës parlamentare deputetët do të mund të ndërhyjnë me amendamente. Me përmbylljen e procesit të miratimit do të formohet trup koordinues dhe më pas do të përpilohet metodologjia e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit.
MERAL ISMAILI
