Botë

Armëpushimi Izrael - Iran në këmbë të qelqta, Izraeli: Irani ka shkelur marrëveshjen

24.06.2025 15:20

Izraeli dhe Irani u dakorduan për armëpushimin që fillimisht u njoftua nga presidenti amerikan, Donald Tramp...

Izraeli dhe Irani u dakorduan për armëpushimin që fillimisht u njoftua nga presidenti amerikan, Donald Tramp, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore. Por, kjo marrëveshje është vënë në këmbë të qelqta, pasi Izraeli dhe Irani kanë vazhduar me akuza të ndërsjella se po shkelet kjo marrëveshje. Disa orë pas shpalljes së armëpushimit, Izreli publikoi fotografi ku pretendon se Irani ka lëshuar një raketë ndaj Izraelit gjatë armëpushimit. Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian duke u thirrur në zyrtarë të lartë iranian, mohoi se Teherani ka lëshuar një sulm raketor apo ajror kundër Izraelit. Autoritet izraelitë kërcënuan se do të kundërpërgjigjen ashpër ndaj çdo sulmi eventual, forcat e tyre ushtarake janë gatishmëri të plotë.
 
“Po theksoj se në këtë fazë nuk ka ndryshime në udhëzimet e komandës së frontit shtëpiak. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me përcjelljen e udhëzimeve, sepse akoma ekziston rreziku. E gjithë mbrojtja izraelite, komandat dhe gardat vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë.”, - deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes izraelite, Efi Deferin. 
 
ShBA-ja optimiste për paqen përfundimtare
 
Presidenti amerikan Donald Tramp ndërhyri publikisht përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, duke kërkuar nga Izraeli të mos vazhdojë sulmet.
 
“Izrael, mos i hidh ato bomba. Nëse e bën, është një shkelje e rëndë. Ktheji pilotët në shtëpi, tani!”, shkroi Trampi. 
 
Bota kërkon që diplomacia të mbisundojë
 
Bashkësia ndërkombëtare menjëherë e ka përshëndetur armëpushimin izraelito - iraniane, por paralajmëroi për një përshkallëzim të rrezikshëm nëse kërcënimet dhe armiqësitë nuk ndalen.
 
“Tani Irani nuk është në gjendje të prodhojë armë bërthamore me pajisjet që ka, sepse ne i kemi shkatërruar ato. Kjo është një gjë shumë, shumë e madhe. Kjo do të thotë se duhet të bisedojmë me Iranin dhe, natyrisht, me Izraelin për atë që sjell e ardhmja, sepse megjithëse e kemi shkatërruar programin bërthamor iranian, shpresa dhe pritshmëria jonë është të ndërtojmë një marrëveshje afatgjatë për paqe në këtë rajon.”, - deklaroi nënpresidenti i ShBA-së, J.D. Vance.
 
“Po përballemi me një spirale dhune që e vë rajonin në rrezik dhe mund të ketë pasoja shumë serioze. Prandaj, bëjmë thirrje për përmbajtje, ndaljen e sulmeve nga të gjitha palët dhe rikthimin në negociata.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Francës, Zhan-Noel Barro.
 
“Dëshirojmë të shohim dialog dhe diplomaci si zëvendësim për çdo përshkallëzim dhe e mirëpresim me kënaqësi njoftimin e presidentit Tramp.”, - u shpreh kryeministri i Australisë, Entoni Albanese.
 
“Japonia konsideron se deeskalimi i situatës është çështja më e rëndësishme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për çdo akt hakmarrjeje dhe shpresojmë vazhdimisht që të rihapet rruga për dialog, përfshirë edhe bisedimet ndërmjet ShBA-së dhe Iranit.”, - deklaroi sekretari i Kabinetit qeveritar japonez, Joshimasa Hajashi.
 
Lufta filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor. Tel Avivi pretendonte se dëshironte të parandalonte Teheranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme, ndërsa ShBA-ja u përfshi në luftë të shtunën, me sulme mbi tre objekte bërthamore iraniane, pas të cilave Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar.
 
REXHEP QAMILI