Maqedoni

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, BDI: Për shqiptarët, ky ligj është zero

24.06.2025 15:40

BDI ka kritikuar propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

BDI ka kritikuar propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili sipas kësaj partie, parashikon zëvendësimin e balancuesit me një trup koordinues. Nga kjo parti njëherit theksojnë se nuk do të ndalen deri në rikthimin e balancuesit. 
 
“Për shqiptarët, ky ligj është zero. Dhe nuk do të ndalemi deri në rikthimin e balancuesit si mekanizëm i vetëm ligjërisht detyrues për të garantuar barazi në administratë. Zëvendësimi i kalkulatorit të saktë dhe transparent me “raporte vjetore” dhe “trupa koordinuese” që nuk kanë asnjë fuqi për të detyruar institucionet të respektojnë përfaqësimin, është në vetvete një akt politik që prodhon padrejtësi dhe dominim etnik institucional.”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.
 
ASh: Ligji i përjashton shqiptarët nga institucionet
 
ASh-ja e Arben Taravarit vlerëson se projekt-ligji përjashton shqiptarët nga institucionet shtetërore, andaj listojnë 5 arsye përse i njëjti duhet refuzuar. 
                                                                                                         
“1. Mungon garancia për përkatësinë etnike
Neni 6, paragrafi 2, e trajton përkatësinë etnike si një e drejtë “vullnetare”.
2. Mungesë e mekanizmave detyruese për përfaqësim të barabartë. Ligji propozon standarde të përgjithshme si “merita” dhe “kompetenca”.
3. Mungesë e sanksioneve për mosrespektim të ligjit. 
4. “Trupi koordinues”, është një organ formal, pa fuqi reale.
5. Asnjë zgjidhje për zëvendësimin e sistemit ekzistues të balancuesit.”, thuhet në kumtesën e ASh-së.
 
Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij propozimi dhe nisjen e një procesi të ri, gjithëpërfshirës dhe transparent, në të cilin përfaqësuesit shqiptarë do të kenë rol thelbësor në hartimin e një ligji të drejtë, të zbatueshëm dhe me mekanizma të qarta detyruese për zbatim.
 
MERAL ISMAILI