Maqedoni

Trampi dhe Netanjahu: Irani nuk do të ketë armë bërthamore

25.06.2025 11:41

Presidenti amerikan shprehet i bindur se centralet bërthamore në Iran janë shkatërruar plotësisht nga sulmet amerikane...

Presidenti amerikan shprehet i bindur se centralet bërthamore në Iran janë shkatërruar plotësisht nga sulmet amerikane, edhe pse vlerësimi i shërbimeve të inteligjencës hedh dyshime mbi suksesin e tyre. Irani nuk do të ketë as pasurim uraniumi, e as armë bërthamore, ka theksuar presidenti amerikan. Ndërsa zëvendëspresidenti Vanc ka thënë se programi bërthamor iranian u shkatërrua pa viktima amerikane.
 
“Presidenti e zgjodhi atë shumë shpejt. Jo vetëm që e shkatërruam programin bërthamor, por e bëmë atë pa kurrfarë viktimash amerikane. Kjo ndodh kur keni udhëheqësi të fuqishme amerikane.”, - deklaroi nënkryetari i ShBA-së, Xhejms Dejvid Vanc. 
 
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu thotë se sulmet izraelite ndaj Iranit e kanë shkatërruar programin bërthamor iranian. 
 
“Të gjitha aksionet e luftëtarëve tanë i kemi realizuar për ta shkatërruar programin bërthamor të Iranit. Dhe nëse dikush tenton ta ringjallë këtë projekt, ne do të veprojmë me vendosmëri të njëjtë dhe me forcë të njëjtë që të marrë fund çfarëdo përpjekje e tillë. Përsëris, Irani nuk do të ketë armë bërthamore.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Iravani: Sulmet izraelite, presedan i rrezikshëm
 
Presidenti iranian Pezeshkian theksoi se të gjitha meritat për fitoren historike i takojnë Iranit dhe janë rezultat i qëndrueshmërisë, unitetit dhe rezistencës së popullit iranian. Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara i quajti sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore veprime të papërgjegjshme. 
 
“Këto veprime jolegale kanë vendosur presedan të rrezikshëm, e dëmtuan kredibilitetin e Këshillit të Sigurimit. Është dëshpëruese se këshilli nuk arriti t’i dënojë sulmet e këtilla jolegale.”, - u shpreh ambasadori i Iranit në OKB, Amir Said Iravani.
 
Ndërkohë zyrtarë ushtarakë izraelitë kanë njoftuar se shtatë ushtarë izraelitë u vranë në qytetin jugor të Gazës, Khan Junis, kur mjeti i tyre i blinduar u godit nga një shpërthim. Më shumë se 860 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit në Izrael, përfshirë mbi 400 gjatë luftimeve brenda Gazës. Ndërsa numri i viktimave palestineze në Gazë kaloi shifrën prej 56 mijë njerëz.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU