Maqedoni
Temperaturat tropikale në RMV, Qeveria jep rekomandime për mbrojtje nga i nxehti
25.06.2025 12:12
Për shkak të temperaturave të larta që kanë kapluar vendin...

Për shkak të temperaturave të larta që kanë kapluar vendin, Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Informacionin mbi zbatimin e masave në përputhje me fazën 3 të Planit të Veprimit për Parandalimin e Pasojave nga temperaturat e larta tropikale në shëndetin e popullsisë 2025-2030.
Të gjitha ministritë, organet e administratës shtetërore dhe institucionet e tjera kompetente janë të detyruara të zbatojnë në mënyrë aktive masat dhe rekomandimet dhe të informojnë dhe koordinojnë të gjitha shërbimet rajonale, institucionet publike dhe subjektet e tjera juridike brenda juridiksionit të tyre për zbatimin e masave të parashikuara në Fazën e 3-të të Planit të Veprimit, thuhet në informacionin e lëshuar nga Qeveria.
Vëmendje e veçantë nevojitet për personat me sëmundje kronike, personat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Plani parashikon Riorganizim të procesit të punës për punonjësit të ekspozuar ndaj të nxehtit të drejtpërdrejtë. Punë në distancë, orar fleksibil ose orar të ndarë në dy turne, aty ku është e mundur; Punëdhënësit të sigurojnë kushte mikroklimatike për punë në përputhje me planin aksional. Institucionet arsimore dhe kopshtet të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura gjatë periudhës nga ora 11:00 deri në 17:00; Institucionet përkatëse do të vazhdojnë me informimin e rregullt dhe zbatimin e masave, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ndërkohë metereologët njoftojnë se moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira lokale deri mesatare. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri në 19 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 31 deri në 39 gradë Celsius. Nën ndikimin e masës ajrore të nxehtë nga jugu prej nesër deri të premten moti do të jetë shumë i nxehtë, me ç’rast temperatura në disa pjesë të vendit pritet të kalojë dhe 40 gradë Celsius. Vlera e indeksit UV do të arrijë 9.
