Maqedoni

Aktvendimi për Vanjën dhe Pançen, burg të përjetshëm për katër të akuzuar, babai i Vanjës u lirua nga akuza

25.06.2025 14:04

Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm katër të akuzuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezheovskit...

Burgim të përjetshëm për Ljupço Palevskin - Palço, Velibor Manevin, Bore Videvskin, Vlatko Keshishevin për kidnapimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezheovskit nga Velesi. Sipas aktgjykimit, të katër të akuzuarit bashkëpunuan ngushtë në realizimin e një plani të organizuar që çoi në vdekjen tragjike të dy viktimave. Ndërkohë, për mungesë provash gjykatësi shpalli të pafajshëm babanë e Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Trupi gjykues vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë.
 
“Gjykata i dënoi të akuzuarit Velibor Manev, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Ljupço Palevski, me nga 10 vjet burg për veprën penale të rrëmbimit të personit, ndërsa për veprën penale të vrasjes, secili prej të pandehurve u dënua individualisht me burgim të përjetshëm, duke përcaktuar kështu një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.”, - deklaroi gjykatësi, Ivica Stefanovski.
 
Dënimet e përjetshme janë të pranueshme për Prokurorinë, po jo edhe lirimi nga akuza i babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçeski. Nga Prokuroria theksojnë se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit. Sipas Prokurorisë, Vanja u rrëmbye pikërisht nga informacioni që u dha nga babai i saj.
 
“Sa i përket të akuzuarit Aleksandar Gjorçeski, edhe pse sot nuk i dëgjuam argumentet e gjykatës për aktvendimin e tillë, fakt i pamohueshëm është se vetëm prindërit e fëmijës e kanë ditur se ajo atë ditë do të shkojë e vetme në shkollë. Dy të akuzuar dhanë dëshmi se këtë fakt ata e kanë kuptuar prej babait Aleksandar Gjorçeski përmes Palevskit. Nëse nuk e dinin se fëmija atë ditë me përjashtim do të shkonte e vetme në shkollë nuk do të kishte rrëmbim e as nuk do të pasonte ngjarja.”, - theksoi prokurorja publike, Ana Stojkoviq Dimitrievska.
 
Mbrojtja e të dënuarve me burgim të përjetshëm shpreh pakënaqësinë rreth vendimit me arsyetimin se Prokuroria nuk ka poseduar prova, ndërsa gjykata nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese. Edhe avokati i babait të Vanjës, i cili u lirua nga akuza, shprehet se e ka të paqartë që edhe në mungesë të provave e kanë mbajtur atë.
 
Vanja dhe Panço nga Velesi, u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur pranë Shkupit, përkatësisht pranë Velesit.
 
FLORIJE KAMBERI