Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 37-ën herë seanca konstituive
25.06.2025 14:14
Të gjithë pajtohen se Kosova ka nevojë urgjente për konstituimin e institucioneve...

Të gjithë pajtohen se Kosova ka nevojë urgjente për konstituimin e institucioneve, por ajo që nuk pajtohen është se e kujt është përgjegjësia për dështimin e 37-të të konstituimit të Kuvendit. Për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, përgjegjësia është e partive opozitare, të cilat nuk po pajtohen për zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të fshehtë.
“Egoja e opozitës është më e lartë se sa interesi i Kosovës, si dhe konstituimi i Kuvendit, andaj përmes një strategjie sabotuese dhe bllokuese nuk kemi pjesëmarrje të procesit të votimit.”, - deklaroi Jeta Statovci nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por, partitë opozitare e pretendojnë të kundërtën. Si bllokues të procesit e shohin Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Kjo situatë nuk do koment, është papërgjegjësi. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë. Kosova është shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme se egoja e tij.”, - theksoi Vlora Çitaku nga PDK.
“Zotëri Kurti është jolegjitim, nuk ka mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit njëkohësisht. Nuk ka logjikë një gjë e tillë. Është urgjente të bëhen institucionet e Kosovës.”, - u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Para fillimit të seancës kuvendore, organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar një performancë simbolike përpara hyrjes së Kuvendit, në shenjë proteste ndaj bllokimit të vazhdueshëm të konstituimit të Kuvendit. Nga Lëvizja FOL kanë paralajmëruar se protesta të vazhdueshme do të mbahen çdo të dytën ditë, në përputhje me seancat e Kuvendit, për të ushtruar presion ndaj deputetëve që ta përfundojnë seancën konstituive.
GYLTENE SINANI
