Maqedoni

Shëndetësi, 40 milionë denarë investime në Klinikën e Fëmijëve

25.06.2025 14:26

Gjithsej 11 projekte të realizuara në vlerë prej 40 milionë denarëve brenda 11 muajve janë investuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup...

Gjithsej 11 projekte të realizuara në vlerë prej 40 milionë denarëve brenda 11 muajve janë investuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Kështu deklaroi drejtori i kësaj klinike, Rexhep Memedi, pas prezantimit të këtyre aktiviteteve përfundimtare në të cilën morën pjesë: kryeministri, Hristijan Mickoski; ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski. Një pjesë e këtyre investimeve janë infrastrukturore e disa në sigurimin e pajisjeve bashkëkohore mjekësore.
 
“Këto janë projekte të rëndësishme, disa prej të cilave janë projekte infrastrukturore dhe disa janë projekte të aparaturës moderne mjekësore, të cilat dukshëm do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe do të avancojnë kujdesin për pacientët. Këto projekte në fakt janë zgjidhje për shumë probleme dhe mangësi që i identifikuam në fillim të mandatit korrik - gusht të vitit të kaluar. Vlera totale e këtyre 11 projekteve të zbatuara është rreth 40 milionë denarë, nga të cilat 7.6 milionë denarë janë donacione të pajisjeve mjekësore.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi.
 
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe kryeministri i vendit Hristijan Mickoski u shprehën të kënaqur nga projektet e realizuara dhe thanë se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
 
“Tre janë shtyllat kryesore që shëndetësia të jetë afër qytetarëve. Shtylla e parë është infrastruktura, që nënkupton se drejtori veç më e ka bërë dhe e ka rinovuar spitalin. Shtylla e dytë është teknologjitë që lidhen me shërbimin e mjekëve dhe shtylla e tretë janë mjekët, të cilët janë specialistë, por gjithashtu edhe investohet në edukimin e tyre.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
“Kjo është bërë me pak para dhe duket shumë e mirë, prandaj meriton lëvdata. Unë shpreh falënderim që ata po kujdesën për këtë objekt, sepse në këtë objekt duhet të kujdesemi për shëndetin e fëmijëve tanë. Nga ana tjetër, e di se ministri i Shëndetësisë hyn vrullshëm dhe në mënyrë ambicioze në të gjithë këtë punë dhe jam i bindur se një pjesë e projekteve të cilët rrinin do t’i çojë përpara  dhe jam i bindur se do të ketë surpriza të bukura për qytetarët, pacientët dhe për të punësuarit.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski po ashtu tha se marrëveshja e nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar do të sjellë edhe investime të shumta në shëndetësi, ku në fazën e parë parashikohen investime prej 200 milionë eurosh.
 
REXHEP QAMILI