Maqedoni
Samiti i NATO-s në Hagë, Siljanovska takon kryeministrin bullgar, diskutohet kontesti dypalësh dhe integrimi
25.06.2025 14:55
Vendet anëtare të NATO-s janë mbledhur për të shqyrtuar propozimin e sekretarit të përgjithshëm për financimin e Aleancës....

Pas paralajmërimeve të disa eurodeputetëve bullgarë për dorëzimin e amendamenteve ndaj raportit për progresin e Maqedonisë së Veriut, i miratuar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, presidentja Gordana Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e dialogut dhe mirëkuptimit ndërfqinjësor. Ajo bëri të ditur nga Haga, se në kuadër të Samitit të NATO-s, pati një bisedë të këndshme dhe miqësore me kryeministrin e Bullgarisë, Rosen Zheljazkov. Deklarata e saj vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet Shkup-Sofje, ku mbështetja bullgare për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut mbetet kyçe.
“Edhe marrëveshja për BE, edhe marrëveshja e Lisbonës, por edhe karta e të drejtave themelore garantojnë respekt të identitetit kulturor dhe kombëtar, dallimet gjuhësore, gjithashtu dhe për këto çështje nuk bisedohet. Prita të ndodhte ajo që ndodhi dhe pres mirëkuptim nga fqinjët tanë të parë. Kërkoj një marrëdhënie miqësore dhe mendoj se do të vijë deri aty. Kisha një bisedë të këndshme me kryeministrin e Bullgarisë. Diskutuam për nevojën e mirëkuptimit të ndërsjellë, për respektin, për domosdoshmërinë që të ndjekim frymën e të dy popujve dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin, ai që tashmë është brenda BE-së, t’i ndihmojë atyre që janë në rrugën drejt saj. Besoj në nevojën për miqësi, besoj se do të ndodhë dhe mendoj se kjo është e pashmangshme. Nuk mund të parashikoj paraprakisht, por nga ajo që pashë dje, më bën të besoj se përmes debatit do të arrijmë në unitet.”, - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
Presidentja po kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Hagë, ku përfshihen edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski; ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral major Sashko Lafçiski. Fokusi i Samitit në Hagë është propozimi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, për të rritur përqindjen e burimeve financiare, që vendet anëtare të Aleancës ndajnë çdo vit nga BPV-ja e tyre kombëtare.
FARIJE DAUTI BAKIJU
