Maqedoni

"One stop shop", nga 5 korriku do të fillojë zbatimi me Serbinë

25.06.2025 15:06

Nga data 5 korrik, sistemi "One stop shop" do të hyjë në funksion edhe me Republikën e Serbisë...

Nga data 5 korrik, sistemi "One stop shop" do të hyjë në funksion edhe me Republikën e Serbisë. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se ratifikimi përfundimtar i marrëveshjes u zhvillua dje, ndërsa faza e testimit të sistemit është duke u zhvilluar. Kjo, sipas Toshkovskit, do të ulë dukshëm pritjet e gjata të qytetarëve në këto pika kufitare.
 
“Dje u bë ratifikimi përfundimtar i marrëveshjes që nënshkruam më parë me kolegun tim, Ivica Daçiq. Shpresoj që më datën 5 të muajit të ardhshëm të kemi një lançim zyrtar të sistemit "One stop shop" me Serbinë, ku me përdorimin e duhur të tij do të arrijmë një transferim shumë më të shpejtë të qytetarëve edhe në atë kufi. Ky është aktualisht kalimi kufitar më i shpeshtë dhe do të lehtësohet për sa i përket shpejtësisë së fluksit të njerëzve.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Ai paralajmëroi se vendi tjetër me të cilin do të prezantohet "One stop shop" është Republika e Shqipërisë. Aktualisht po punohet intensivisht me oficerë policie nga Shqipëria, në dy pika kufitare që kemi me Shqipërinë dhe po planifikojmë të zbatojmë një sistem të tillë të zgjuar, tha Toshkovski. Sistemi "One stop shop" është vënë tashmë në funksion me Kosovën dhe dukshëm ka zvogëluar pritjet në kufi, tha Toshkovski.
 
FLORIJE KAMBERI