Maqedoni

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, opozita shqiptare e konsideron jotransparent

25.06.2025 15:28

Opozita shqiptare me kritika ndaj pushtetit se në fshehtësi po tenton të sjellë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat....

Opozita shqiptare me kritika ndaj pushtetit se në fshehtësi po tenton të sjellë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ziadin Sela nga Fronti Evropian rendit kritikat ndaj projektit qeveritar, duke thënë se ligji është përpiluar në formë jo transparente, larg syve të opozitës dhe në dëm të shqiptarëve.
 
“Askush nuk e ka një kopje të ligjit. Bëhen iniciativa dhe dërgohen në Komisionin e Venedikut dhe për këtë nuk janë të informuar as qytetarët, nuk e gjen dot në faqen e Qeverisë se kush na qenka ky ligj. Nuk e gjen dot të shpallur askund. Natyrisht që kjo lloj qasjeje është vetëm mungesë transparence dhe nuk është në të mirën e qytetarit dhe qytetarët nuk duhet ta lejojnë assesi këtë lloj qasjeje.”, - deklaroi Ziadin Sela nga Fronti Evropian.
 
ASh-ja e Arben Taravarit konsideron se propozim-ligji po shpie shqiptarët drejt përjashtimit institucional, pasi sipas tyre, nuk garanton matje proporcionale, nuk parashikon sanksione dhe nuk e trajton përkatësinë etnike si kategori e domosdoshme për politika publike.
 
“Në këtë tekst nuk bëhet asnjë referencë ndaj Kushtetutës apo Marrëveshjes së Ohrit, duke e ndarë qëllimisht ligjin nga themelet e tij legjitime dhe historike. Ky nuk është ligj i përfaqësimit të drejtë – është legalizim i diskriminimit përmes gjuhës administrative. Prandaj, kërkojmë urgjentisht që Kuvendi të ndalojë avancimin e këtij projektligji dhe të iniciohet një proces i ri, transparent dhe gjithëpërfshirës.”, thuhet midis tjerash në kumtesën e ASh-së së Arben Taravarit.
 
Mickoski: Opozita do ta shohë ligjin në Kuvend
 
Kryeministri Mickoski i kundërpërgjigjet opozitës se ligjin do ta shohin pas prononcimit të Komisionit të Venedikut.
 
“E tillë është procedura. Të presim çfarë do të thotë Komisioni i Venedikut dhe më pas të gjithë deputetët në Kuvend do ta kenë propozim-ligjin dhe mund të ndërhyjnë me amendamente. Ne shkojmë hap pas hapi dhe nuk krijojmë implante kundërkushtetuese.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN: Opozita shpërdoroi përfaqësimin institucional
 
Edhe koalicioni VLEN me kundërakuza ndaj opozitës shqiptare se kanë keqpërdorur përfaqësimin në të kaluarën.
 
“Ata që janë kundër këtij ligji janë po ata që gjatë viteve e degraduan përfaqësimin dhe i lanë qytetarët pre e manipulimeve dhe padrejtësive. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një përgjegjësi ndaj të ardhmes së shtetit dhe qytetarëve të tij.”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
 
Ditë më parë Qeveria i dha dritë jeshile propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë pas shfuqizimit të balancuesit, pas abuzimeve gjatë punësimeve në administratën shtetërore.
 
MERAL ISMAILI