Maqedoni
Ministria e Ambientit me raport njëvjeçar, politika në cilësinë e ujit dhe ajrit, prioritet
25.06.2025 15:36
Punë njëvjeçare e Ministrisë së Mjedisit ka qenë në funksion të një arkitekture të qëndrueshme ambientale...

Punë njëvjeçare e Ministrisë së Mjedisit ka qenë në funksion të një arkitekture të qëndrueshme ambientale, tha ministri i këtij resori, Izet Mexhiti, duke shpalosur punën njëvjeçare të dikasterit të tij. Sipas tij, angazhimi është bazuar në reforma sistematike dhe me harmonizim të standardeve me ligjet e BE-së. Po ashtu është avancuar një qasje që e shef mjedisin si fushë strategjike me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik. Mexhiti pohon se për mjedisin urban është kujdesur me ndërtimin e stacioneve për pastrim të ujërave, prioritet ka pasur edhe ajrin e pastër dhe menaxhimin e ndotjes, që është përcjellë nga Inspektorati për Mjedis Jetësor.
“Gjatë vitit të kaluar nisi zbatimi i projektit më të gjerë infrastukturorë në këtë sektor, përmirësimi dhe rinovimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në 80 komunat e vendit me mbështetje financiare prej 50 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Ndërtim. Ky projekt paraqet një ndërhyrje strukturore afatgjate në ndikimin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë e jetës dhe mbrojtjes së resurseve ujore.”, - deklaroi ministri i Ambientit, Izet Mexhiti.
Ministria e Mjedisit do të vazhdojë me politikat që përmirësojnë ujin, ajrin dhe natyrën, me përgjegjësi institucionale dhe me orientim të pakthyeshëm drejt së ardhmes evropiane. Mexhiti garanton mirëqenie për gjeneratat që vijnë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
