Maqedoni

LSDM sfidon VMRO-DPMNE-në, opozita ia propozon VMRO-së propozim-ligjet e veta

25.06.2025 16:06

Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit opozitar maqedonas paraqitën 12 propozim-ligje që ishin premtuar më herët nga VMRO-DPMNE...

Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit opozitar maqedonas paraqitën 12 propozim-ligje që ishin premtuar më herët nga VMRO-DPMNE, me shpresë që nuk do të refuzohen nga shumica parlamentare, siç u janë refuzuar propozimet e tyre në të kaluarën. Propozim-ligjet tani të dorëzuara nga ana e LSDM-së, janë të VMRO - DPMNE-së, dhe kanë të bëjnë me rritjen dhe mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, rritjen e pagës minimale dhe pagave tjera në sektorin publik dhe privat. 
 
“Propozuam ligj që paga minimale të vazhdojë të rritet, propozuam ligje edhe për rritjen e pagave tjera në sektorin publik dhe privat. Por asnjëri prej tyre nuk u pranua më herët. Sot kemi punëtorë të nënçmuar dhe qytetarë më të varfër. Sot ne kemi punëtorë me paga më të ulëta dhe standard më i ulët në Evropë. Njëherësh propozuam ligje për lirimin nga tatimet për produktet thelbësore, me qëllim për t’i ulur çmimet dhe të mbërrijmë standardin e qytetarëve, por as ato nuk u pranuan.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski.
 
LSDM po ashtu propozoi edhe ligje që 1 denarë të jetë akciza e karburantit për sportistët, për klubet dhe për infrastrukturën sportive, si dhe gratë fermere të kenë të drejtën e shfrytëzimit të pushimit të lindjes. Mitreski po ashtu u ankua se shumica parlamentare në Kuvend ka refuzuar edhe rreth 400 amendamentet e parashtruara për buxhetin, ku për herë të parë, sipas tyre, ndodh në historinë e funksionimit të Kuvendit të mos të pranohet asnjë amendament i opozitës. 
 
REXHEP QAMILI