Ahmeti : Negociova që të mos eskalojë situata, interesi kombëtar shqiptar , vetëm implementimi i MO-së

15.05.2015 12:02

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur mbrëmë për herë të parë për ngjarjet e së shtunës në Kumanovë , në një debat në televizionin Alsat-M...

Ahmeti pranon se ka negociuar që përplajsa e policisë dhe grupit të armatosur të përfundojë sa më shpejt për të garantuar sigurinë e banorëve civilë të “ Lagjes së trimave”  dhe mospërhapjen e konfliktit edhe më tej.

Lideri i BDI-së pranoi se i njihte disa prej pjesëtarëve të grupit të armatosur që nga  viti 2001, por ende nuk e ka të qartë se cili ishte ideali i tyre dhe si mundën ata të hyjnë e të rrezikojnë banorët civilë. BDI gjatë gjithë ditës ka negocuar për dorëzimin e Grupit të Armatosur por vendimin e kanë marrë vetë ata.

“Mendoj se vendimi i tyre ka qenë i mirë, pasi kanë mund të vriten të gjithë 26 persona. Unë nuk kam qenë njeriu që i kam organizuar. As që i kam thirrur. Unë kam qenë njeriu që i kam shpejguar filozofinë, politikën. Ky është një proces nga më interesantët, kush është qëllimi, kush qëndron pas tyre? Shqipërinë e madhe? Si bëhet ajo? A futet njeri të rrezikojë jetën edhe të të tjerëve? Nuk kam luajtur ndonjëherë në teatër, unë vij nga lufta, pika numër një ka qenë luftë të bëhet jashtë vendbanimeve civile. Si mund këta të hyjnë në agjendën e Nikolla Gruevskit? Kjo do një hetim shumë të fortë,  do edhe angazhim të hetuesisë ndërkombëtare. Duhet të shohim në shërbim të kujt ishin, qëllimi cili ishte, çfarë deshën të realizojnë?...Unë kam bërë atë që kam mundur të bëjë për atë lagje. Unë kam bërë punën time, kam thënë që të jetë kujdesi më i madh për civilët. Kam insistuar me automatizëm që qeveria të bëjë një verifikim të gjendjes, të dërgohen ekipe, shtëpitë do të riparohoen sepse dëmi material kompensohet, jetët e  njerëzve nuk kompensohen”  -  ka deklaruar Ahmeti.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, Ahmeti potencoi se asnjë konflikt nuk është në interes të shqiptarëve, as ndarja e Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve. Lideri I BDI-së kërkon zbatimin në përpikmëri të  Marrëveshjes së Ohrit.

“BDI do që në këtë vend të kthehet stabiliteti, normaliteti. Kemi qenë dhe jemi në komunikim të përhershëm ditor edhe me Uashingtonin, Brukselin, NATO-n. Të jemi transaprent dhe të kërkojmë zgjidhje për problemet.Ne jemi të dëmtuar si shqiptarë në tërësi. Edhe Kosova edhe Shqipëria, pasi mund të keqpërdoer nga dashakeqë të shqiptarëve. Nga të gjithë takimet që i kam pasur kam folur me Fatos Nanos, me Sali Berishën, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Edi Rama, të gjithë kanë thënë se është në interes të kombit shqiptar Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Ahmeti.

Sa i përket krizës politike, Ahmeti ka potencuar se takimi I së enjtes ishte vetëm fillimi dhe bisedimet do të vazhdojnë të hënën rreth  korrnizave  që duhet të bisedohet. BDI ka paraqitur platformën e vet se si e mendon të dilet nga kjo situatë”, tha Ahmeti në emisionin në Alsat-M. (Meral Ismaili, TVM2)