Maqedoni
Kodi Zgjedhor, Gashi: Nuk ka dakordim për ndryshime
26.06.2025 13:59
Parlamenti nuk ka dakordim për të nxjerrë në dritë ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Parlamenti nuk ka dakordim për të nxjerrë në dritë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sa i përket listave të pavarura të kandidatëve në zgjedhje, e të cilat parashikojnë më shumë kushte për listat e pavarura. Kryeparlamentari thotë se për atë ligj nevojitet shumica e Badenterit, e cila për momentin mungon. Por, kryeparlamentari nuk e përjashton mundësinë e tërheqjes së ligjit dhe të gjitha palët të ulen dhe të bisedojnë.
“Kodi Zgjedhor, siç e dini, është në një nga seancat plenare. Tani nuk arritëm ta votojmë, për shkak se duhet një dakordim dhe një Badenter i vogël që të votohet ai ligj. Në momentin që do të krijohen kushtet, unë menjëherë do ta thërras seancën dhe do ta votojmë. Por, tani për tani nuk mund të them se ka kushte, prandaj nuk është thirrur seanca në fjalë.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
FE s’do të mbështesë ligjet me Badenter
Kundërshtim i ashpër vjen nga deputetët e Frontit Evropian, të cilët thonë se jo vetëm ndryshimet për Kodin Zgjedhor, por s’do mbështesin asnjë ligj tjetër që kërkon Badenter, në rast se nuk konsultohen.
“Ne s’do të mbështesim projektligje, përderisa nuk ulen me ne në tavolinë për të folur për Kodin Zgjedhor. S’do të mbështesim as ligjet tjera me Badenter, pasi që Badenterin e kemi në duar dhe kështu Qeveria do të jetë e disiplinuar për t’u kthyer në domenin e Kushtetutës, tolerancës dhe bashkëjetesës.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Sali Murat.
E Majta fajëson pushtetin për ngërçin
Edhe nga E Majta fajësojnë Qeverinë për ngërçin e krijuar me Kodin Zgjedhor.
“Propozim për një njësi zgjedhore, prag më të ulët dhe lista të hapura, u refuzua dhe të njëjtën ditë na u vu në rend dite ky ligj, andaj është i qartë qëllimi i Qeverisë, çfarëdo që të bëhet ose do të përfundojë në shportë, pasi Qeveria nuk ka për qëllim të lëshojë pe.”, - u shpreh deputeti i së Majtës, Sashko Jançev.
Tanimë një muaj nuk ekziston mekanizëm për pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve të pavarur, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet kontestuese 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilat u miratuan në mars të vitit 2024 dhe me to u rrit pragu i nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e listave të pavarura në zgjedhje, respektivisht 1% nga trupi votues. Kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, sqaroi se ligjvënësi është i obliguar që menjëherë të veprojë në plotësimin e zbrazëtirës ligjore që u bë me vendimin e kushtetueses, në të kundërtën, kjo do të nënkuptonte shkelje shtesë e të drejtave bazë të qytetarëve dhe shkelje e rëndë e pluralizmit politik në vend.
MERAL ISMAILI
