Ekonomi

Durmishi: Merren masa për stabilizimin e çmimeve

26.06.2025 14:30

Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës janë duke punuar për të ndërmarrë masa për stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore...

Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës janë duke punuar për të ndërmarrë masa për stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore, por kësaj radhe përmes mbështetjes dhe rritjes së prodhimit të produkteve vendore. Kështu u shpreh ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, sipas të cilit, në rast se konstatohet rritje e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore brenda periudhës së miratimit të masave të reja, autoritetet  nuk përjashtojnë t’i kthejnë edhe masat e mëhershme për ngrirjen e çmimeve dhe kufizimin e marzhës. 
 
“Po punojmë në drejtim që të ndërmarrim hapa ose masa të cilat do të japin rezultate afatmesme apo afatgjate. Si për shembull, Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë po punojnë për t’i mbështetur bujqit, prodhuesit tanë, për shkak se deri më tani nuk janë mbështetur  prodhuesit  vendorë dhe  andaj vlerësojmë se nëse i zbatojmë këto propozim-masa, atëherë do të ulen çmimet e produkteve bazë ushqimore dhe produkteve bujqësore afatmesme dhe afatgjate.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi.
 
Në fazë përfundimtare, thotë Durmishi, është edhe metodologjia e re për përllogaritjen e shportës së re të konsumatorëve për familje katëranëtarëshe.
Ai  thotë se e njëjta do të jetë  e përpiluar me të dhëna reale dhe e bazuar në mesataren e çmimeve të produkteve ushqimore të marra nga më shumë markete.
 
“Numërimi i anëtarëve të Këshillit ekonomik-social ka përfunduar dhe tani duhet t’u jepen vendimet dhe kur do të përfundojë kjo procedurë menjëherë do të thërras seancën e Këshillit ekonomik social. Aty do të prezantojmë propozimin për shportën e re të konsumatorëve, ku bashkërisht me punëdhënësit, sindikalistët dhe ne, do të shqyrtojmë dhe vendosim nëse e njëjta do të pranohet ose jo nga partnerët socialë.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi.
 
Të gjitha këto Durmishi i tha gjatë konferencës për shtyp në kuadër të llogaridhënies për njëvjetorin e Qeverisë.
 
REXHEP QAMILI