Maqedoni

Integrimi, Murtezani: Pa konsensus politik, s’ka progres

26.06.2025 14:44

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë mbetet nën kushtin e njohur...

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë mbetet nën kushtin e njohur: sigurimi i 80 deputetëve në Kuvend dhe konsensusi politik, thotë ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. Megjithatë sipas tij, nëse aspekti politik është bllokuar, procesi teknik i reformave po zhvillohet sipas planit të pritshmërive.
 
“Sa i përket përfshirjes së bullgarëve në preambulën e Kushtetutës sonë, kjo është çështje që kërkon 2/3 e votave në Kuvend. Derisa nuk kemi konsensus të gjerë politik, nuk ka hapësirë që të bëjmë një hap para.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. 
 
Murtezani komentoi edhe raportin për RMV-në, që tani do të gjendet në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
 
“Kjo është punë e brendshme e PE-së, nuk është proces ku mund të përzihemi. Për ne është e mirëseardhur gjithçka që bën dallimin mes pozicionit bilateral të Bullgarisë dhe pozicionit të përbashkët të të gjitha shteteve të BE-së me atë që do të ndahej çka është çështje e aspektit bilateral identitar dhe çka është çështje e aderimit në BE.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
 
Kacarska: Hapërimi nuk shihet para zgjedhjeve
 
Edhe njohësit e procesit integrues janë pesimist se para zgjedhjeve mund të hapërohet drejt BE-së.
 
“Disa herë e kam thënë se e kam të vështirë të shohë skenar ku nuk kryhen ndryshimet kushtetuese  për të vazhduar me konferencën e dytë ndërqeveritare. Kjo nuk do të thotë që t’i lëmë anash obligimet që i kemi, sepse shihet se së paku para zgjedhjeve lokale, ne vështirë të shohim skenar, ku do të bëhej një hap para.”, - u shpreh Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane.
 
Ambasadori polak: Plotësoni kushtet, ju presim
 
Dritarja e mundësive është e hapur dhe Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë sa më shpejt, porositi ambasadori i Polonisë. Përkujton detyrimet shtetërore që kanë bllokuar aspiratat integruese.
 
“Tani është koha për inkurajim dhe angazhim. Kjo shkon dorë për dore me reformat e brendshme, me përforcimin demokratik të institucioneve, ndërtimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, mbrojtjen e lirisë së mediave dhe gjyqësorit të pavarur. Këto s’janë kushte të imponuara, por vlera fundamentale. Në të njëjtën kohë, ndryshimet kushtetuese që kërkohen për ta çuar procesin eurointegrues përpara.”, - deklaroi ambasadori i Polonisë, Mariush Brimora.
 
Sipas ambasadorit polak, aktualisht siguria është prioritet numër një, ndërkaq zgjerimi i Unionit do të ndihmonte për arritjen e objektivave dhe  për investimin gjeostrategjik  për paqe, stabilitet dhe prosperitet.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU