Botë
Mbahet samiti i Bashkimit Evropian, trajtohen konfliktet që kërcënojnë BE-në
26.06.2025 15:27
Krerët e vendeve anëtare të BE-së janë mbledhur në Bruksel në një Samit që u fokusua te konfliktet që kërcënojnë Evropën....

Sanksione më të ashpra kundër Rusisë, konflikti Izrael-Iran, katastrofa humanitare në Rripin e Gazës, pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe gjendja e aleancës transatlantike në epokën e re të presidentit amerikan Donald Tramp, ishin temat që krerët e 27 vendeve anëtare të BE-së, diskutuan në Bruksel. Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, u shpreh kritik ndaj BE-së, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ekuivalent kundër Izraelit pavarësisht situatës së rëndë humanitare në Gazë, ndërsa kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, BE-ja ka vendosur pakon me 18 sanksione kundër Rusisë. Sipas tij, BE-ja nuk vepron me drejtësi, por zbaton standarde të dyfishta.
"Evropa duhet të pezullojë Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin, dhe ta bëjë këtë menjëherë, sepse nuk ka kuptim që ne kemi miratuar 18 paketa sanksionesh kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, e megjithatë Evropa, me një standard të dyfishtë, nuk është as e aftë të pezullojë një marrëveshje asociimi kur Izraeli shkel qartë dhe në mënyrë flagrante Ligjin për të drejtat e njeriut.”, - deklaroi kryeministri spanjoll, Pedro Sançez.
Edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, ishte kritik ndaj disa iniciativave të BE-së, sidomos pranimin e mundshëm të Ukrainës në BE, pasi një veprim i tillë do të thoshte "integrimi i luftës" në bllok.
"Problemi është lufta. Nëse e integrojmë Ukrainën në Bashkimin Evropian, do ta integrojmë edhe luftën. Dhe nuk do të donim të ishim së bashku në një komunitet me një vend që është në luftë dhe përfaqëson një rrezik të afërt për ne, sepse nëse një anëtar i BE-së është në luftë, kjo do të thotë që e gjithë BE-ja është në luftë dhe ne nuk e duam një gjë të tillë.", - theksoi kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Kryeministri holandez, Dik Shof, theksoi rëndësinë e diplomacisë në adresimin e konflikteve globale, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
“Është shumë e rëndësishme që amerikanët po bëjnë shumë përpjekje për të krijuar një armëpushim. Evropa duhet të ndërmarrë hapa, sepse diplomacia është gjithmonë përgjigjja më e mirë për çdo konflikt.”, - u shpreh kryeministri holandez, Dik Shof.
Kancelari gjerman, Fridrih Merz, foli për periudhën vendimtare që e pret Evropën dhe forcimin e kapaciteteve të BE-së.
"Kemi një numër të madh temash për të diskutuar. Sigurisht, do të reflektojmë mbi rezultatet e samitit të djeshëm të NATO-s dhe pasojat për Bashkimin Evropian. Do të duhet të flasim për konkurrueshmërinë e industrisë evropiane. Do të diskutojmë një gamë të tërë temash të tjera që synojnë të sigurojnë që Bashkimi Evropian të jetë i aftë për të ardhmen.”, - deklaroi kancelari gjerman, Fridrih Merz.
Shumica e liderëve vijnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku ata u zotuan për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Tramp. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, mori pjesë në samitin e BE-së përmes video-konferencës. NATO-ja, e udhëhequr nga ShBA-ja, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit, por lufta e Rusisë në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për BE-në.
FARIJE DAUTI BAKIJU
