Maqedoni

Seanca pyetje deputetësh, FE kundër propozim-ligjit për përfaqësim adekuat

26.06.2025 15:47

Opozita shqiptare paralajmëron kundërshtimin e propozim-ligjit për përfaqësim adekuat....

Opozita shqiptare paralajmëron kundërshtimin e propozim-ligjit për përfaqësim adekuat. Në seancën pyetje deputetësh, deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, tha se ligji ka mungesë të mekanizmave mbrojtës, detyrues, sanksionues dhe ekziston tentativë për ta zvarritur përfaqësimin nëpërmjet trupave koordinues dhe komisioneve. Mëdyshje kishte edhe për anashkalimin e opozitës në finale të procesit.
 
“Vallë a mos tentohet që t’i vendoset një mburojë e hekurt këtij ligji që kur të vijë në Parlament, ne si deputetë të mos kemi mundësi që të intervenojmë me arsyetimin se ka thënë Komisioni i Venedikut, e ka dhënë mendimin e tij, është faktori ndërkombëtar dhe ne nuk do të mund ta ndryshojmë, të ndërhyjmë përmes amendamenteve.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri. 
 
Ministri i Administratës, Goran Minçev, me kundërpërgjigje se deputetët do ta thonë fjalën e fundit.
 
“Të mos keni dilema se dikush po tenton ndër tavolinë të kalojë diçka. Po kush do ta miratojë ligjin? Natyrisht deputetët. Këtë procedurë nuk mund askush ta anashkalojë.”, - theksoi ministri për Administratë, Goran Minçev.
 
Modifikimi i identitetit maqedonas, Filipçe kërkoi unitet kundrejt Sofjes
 
Opozita hapi debat për përpjekjet bullgare për rimodelimin e identitetit dhe gjuhës maqedonase pranë Parlamentit Evropian. Socialdemokratët kërkuan nga kryeministri Mickoski koordinim në nivel parlamentar, që një amendament i tillë bullgar të bllokohet.
 
“Në Parlamentin Evropian ekziston rreziku serioz që të kalojë raport në të cilin gjuha në mënyrë plotësuese po emërohet. A nuk na duhet neve një unifikim për këtë çështje, pasi një shtesë e tillë shkon në kundërshtim me konkluzionet që ky Parlament i votoi, që askush të mos negociojë për gjuhën, kulturën dhe historinë?!”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mickoski: Daton nga propozimi francez
 
Për kryeministrin, uniteti është i domosdoshëm, por dëmi daton që nga pranimi i propozimit francez.
 
“Thelbi është të krijojmë toponim të ri, gjuhë moderne maqedonase të disa maqedonasve modern. Ky është thelbi i propozimit francez. Mua më vjen keq që këtë nuk e patë, edhe pse ne e paralajmëruam. Ne punuam dhe besoj se edhe ju do të punoni në këto dy javë deri në seancën plenare.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Sipas kryeministrit, përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane nuk do të ndalen, por me një gjuhë dhe identitet të garantuar maqedonas.
 
MERAL ISMAILI