Maqedoni
Kumanovë, regjistrimi në çerdhe dhe shkollë detyron prindërit t'i vaksinojnë fëmijët
26.06.2025 16:28
Një ndër kushtet për regjistrimin e fëmijëve ka detyruar prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre....

Një ndër kushtet për regjistrimin e fëmijëve, si në çerdhe po ashtu edhe në arsimin fillor, ka detyruar prindërit që edhe përkundër refuzimit, megjithatë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
Për këtë arsye ditëve të fundit në qendrën për vaksinimin e fëmijëve pranë IShP “Shtëpia e Shëndetit” - Kumanovë vërehet gjallëri e madhe. Kjo për arsye se shumë prindër dëshirojnë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe, e për këtë nevojitet edhe vërtetimi se fëmija i tyre është i vaksinuar.
“Në kartonët e vaksinave kryesisht mungon vaksina MRP, mirëpo shikuar në tërësi, tek ata fëmijë që nuk vaksinohen mungojnë të gjitha vaksinat, ashtu që disa prej fëmijëve i kanë vetëm ato vaksina që merren gjatë lindjes PSZh dhe Hepatit B. Tash disa po vijnë edhe pa këto vaksina apo fare nuk paraqiten dhe ne përmes shërbimeve tona vëmë ndonjë kontakt, por për fat të keq hasim edhe në reagime të tilla të prindërve, të cilët thonë strikt se nuk do t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Pa vaksinimin nuk do të mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre, qoftë në çerdhe apo shkolla fillore. Andaj pyes se si do t’i regjistrojnë fëmijët e tyre.”, - theksoi Dr Valentina Bogoevska Dimitrievska, nga reparti për vaksinim.
Që prindërit po refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, në qendrën për vaksinim pranë IShP “Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë kanë regjistruar edhe një rast të tillë, ku fëmija 5-vjeçar nuk ka pranuar asnjë vaksinë të vetme. Megjithatë shpresojnë se regjistrimi në çerdhe apo shkollat fillore do t’i detyrojë prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
FATLUM AQIFI
