Maqedoni

Gjykata Kushtetuese: S’ka popullsi rezident dhe jorezident

26.06.2025 17:48

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pjesën e Metodologjisë së regjistrimit të popullsisë nga viti 2021...

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pjesën e Metodologjisë së regjistrimit të popullsisë nga viti 2021, që ka të bëjë me kategorizimin e popullsisë si “rezident” dhe “jorezident”.
 
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ndarja e popullsisë në rezident dhe jorezident nuk është në përputhje me një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të vendit – sundimin e ligjit. Kushtetuesja njëherësh konstaton se drejtori i Entit të Statistikave i ka tejkaluar kompetencat, duke bërë kategorizimin e popullsisë në rezident dhe jorezident me akte nënligjore, pa autorizim ligjor për diçka të tillë. Vendimi do të hyjë në fuqi nga momenti i publikimit në Gazetën Zyrtare, ndërsa regjistrimi i vitit 2021 mbetet në fuqi.
 
Rexhepi: Kjo është fitore e diasporës!
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i parashtruesit të nismës në Gjykatën Kushtetuese, deputeti i Frontit Evropian Skender Rexhepi, sipas të cilit, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ndarjen absurde e diskriminuese të qytetarëve në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, të bërë në mënyrë joligjore përmes metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021!
 
“Vendimi është i qartë: Këto ndarje nuk do të lejohen më në të ardhmen! KJO ËSHTË FITORE E DIASPORËS!”, thekson mes tjerash Rexhepi.