Botë
OBSh dërgon ndihma në Gazë
26.06.2025 18:46
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar ngarkesën e parë me ndihma mjekësore në Gazë që nga 2 marsi....

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar ngarkesën e parë me ndihma mjekësore në Gazë që nga 2 marsi.
Dërgesat që përfshijnë pajisje mjekësore, plazmë dhe gjak, do të shpërndahet nëpër spitalet e territorit palestinez gjatë ditëve në vijim, tha drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një postim në X.
Izraeli vendosi një bllokadë të plotë në Rripin e Gazës më 2 mars. Më shumë se dy muaj më vonë, filloi të lejonte futjen e ushqimeve, por jo të ndihmave të tjera deri tani.
Tedros tha se nëntë kamionë që transportonin furnizime mjekësore, 2.000 njësi gjaku dhe 1.500 njësi plazmë u dorëzuan përmes pikëkalimit Kerem Shalom me Izraelin, “pa asnjë incident, pavarësisht kushteve të rrezikshme përgjatë rrugës”.
“Këto furnizime do të shpërndahen në spitalet me prioritet gjatë ditëve në vijim.”, tha shefi i OBSh-së.
Javën e kaluar, OBSh-ja tha se vetëm 17 nga 36 spitalet e Gazës funksiononin pjesërisht ose në minimumin e kapaciteteve, ndërsa pjesa tjetër ishin plotësisht jashtë funksionit. Tedros tha se katër kamionë të OBSh-së ende janë në pikëkalimin Kerem Shalom dhe shumë të tjerë janë rrugës drejt Gazës.
