Botë
Izraeli mbyll kalimet e ndihmave në Gazë, vazhdojnë vrasjet gjatë përpjekjes për ushqim
27.06.2025 13:49
Përpjekjet për të siguruar ushqim në Gazë përfundojnë me vrasjen e 56 civilëve dhe dhjetëra të plagosurve...

Përpjekjet për të siguruar ushqim në Gazë përfundojnë me vrasjen e 56 civilëve dhe dhjetëra të plagosurve nga sulmet izraelite në pikat e shpërndarjes së ndihmave. Izraeli gjithashtu ka mbyllur edhe kalimin verior Zikim, duke bllokuar një nga rrugët më të rëndësishme për dërgimin e ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë, që përballen me uri ekstreme.
"Ata vranë një familje të tërë, babain, nënën dhe vëllezërit, vetëm dy vajza mbijetuan. Njëra prej tyre është një vajzë e vogël, një vjeç e dy muajsh dhe tjetra është pesë vjeçe.", - tha një banor i Gazës.
“Për shkak të urisë dhe mungesës së ushqimit, fëmijët e mi nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk kam ngrënë miell për gati dy muaj. Duam vetëm të hamë dhe të mbijetojmë, por edhe këtu na vrasin duke marr ushqim.", - tha një banor i Khan Junisit, Imad al-Atar.
“I shpenzuam të gjitha parat, nuk kemi ngrënë asgjë me miell për gati një vit. Fëmijët e mi u plagosën nga sulmet në pikat e ndihmave, por janë gjallë, falënderoj Zotin. Sot erdha unë të marr ushqim.”, - u shpreh një banore e Gazës.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, e përshkroi krizën humanitare në Gazë si "katastrofike" dhe shprehu keqardhje për situatën e të drejtave të njeriut atje.
"Situata humanitare në Gazë është plotësisht e papranueshme dhe kjo është arsyeja se përse përfaqësuesi i lartë kërkon një vlerësim në lidhje me nenin dy të Marrëveshjes së Asociimit - partneriteti BE-Izrael. Raporti është shumë i qartë. Ekziston një shkelje sistematike nga Izraeli, e të drejtave të njeriut në Gazë. Ne morëm shënim këtë raport dhe i kërkuam përfaqësuesit në Këshillin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të marrë vendime dhe të miratojë hapin tjetër.", - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
ShBA-ja miratoi mbështetjen e parë të drejtpërdrejtë financiare për organizatën private të ndihmave humanitare, e cila ofron ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë.
“Ne kemi miratuar 30 milionë dollarë fonde për Fondacionin Humanitar të Gazës dhe u bëjmë thirrje vendeve të tjera që të mbështesin gjithashtu fondacionin dhe punën vendimtare.”, - theksoi zëvendëszëdhënësi kryesor në Departamentin e Shtetit, Tomi Pigot.
Ndërkohë veprimtaria e kësaj organizate në Rripin e Gazës është objekt diskutimesh dhe debatesh. Fondacioni Humanitar i Gazës mbështetet nga ShBA-ja dhe Izraeli. Në maj të këtij viti, Fondacioni filloi punën në Rripin e Gazës, ku ka hapur katër qendra shpërndarjeje ndihmash në jug dhe në qendër të territoreve palestineze dhe në këto pika janë vrarë qindra civilë, duke u përpjekur të marrin ushqim.
FARIJE DAUTI BAKIU
