Maqedoni
Një vit qeverisje, Fetai: Kemi rezultate në luftën kundër korrupsionit
27.06.2025 14:04
Vit i vështirë, por njëkohësisht dhe i shpresës, në të cilin u vendosën themelet për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe transparent...

Vit i vështirë, por njëkohësisht dhe i shpresës, në të cilin u vendosën themelet për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe transparent. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, me rastin njëvjetorit të Qeverisë, sipas të cilit, Qeveria aktuale ka trashëguar një sistem të keqpërdorur, të rrënuar dhe të korruptuar, por pavarësisht kësaj, tha ai, janë arritur rezultate të shumta në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimit të kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, transparencës dhe dialogut me shoqërinë civile.
“Krijuam trupin ndër-resorial për koordinim të luftës kundër korrupsionit, duke përfshirë në këtë trup për herë të parë me të drejtë vote edhe organizatat joqeveritare, sepse beteja kundër korrupsionit nuk është vetëm institucionale, por edhe shoqërore. Ky trup tashmë ka miratuar metodologjinë e re për integrimin e masave të antikorrupsionit në negociatat me BE-në dhe po reformohet për të qenë më efikas. Gjithashtu jemi duke i përforcuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të nxitjes në nivel politik të luftës kundër korrupsionit, si dhe ndërtimin e besimit me shoqërinë civile.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Një ndër të arriturat e kësaj qeverie që u prezantuan nga Fetai ishte edhe propozim-ligji për përfaqësim të drejt dhe adekuat, si edhe krijimi i regjistrit të parë të pasurisë së paluhatshme shtetërore, ku do t’i jepet fund keqpërdorimit të pronave zyrtare. Ai falënderoi faktorin ndërkombëtar, i cili i jep mbështetje kësaj qeverie, pa rezervë.
REXHEP QAMILI
