Maqedoni
DAP-i paralajmëron faturën elektronike, “ilaç” kundër ekonomisë së zezë
27.06.2025 14:23
Drejtoria e të Ardhurave Publike fillon me përgatitjen për vendosjen e faturës elektronike...

Drejtoria e të Ardhurave Publike fillon me përgatitjen për vendosjen e faturës elektronike, e cila do të kontribuojë për digjitalizimin e tërësishëm të transaksioneve tatimore. Me këtë DAP-i do të ketë qasje të drejtpërdrejt ndaj të gjitha transaksioneve në kohë reale. Procedura për përgatitjen e softuerit, si dhe ndryshimit të akteve nënligjore fillojnë këtë vit.
“Ky sistem paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizim, jo vetëm ndaj funksionimit të DAP-it, por edhe ndaj kompanive private, pasi që projekti në fjalë do të mundësojë fiskalizim të tërësishëm të të gjitha transaksioneve. Andaj vlerësojmë se kjo nuk është thjesht vetëm mjet i ri, por është një mekanizëm modern për krijimin e disiplinës më të mirë tatimore, harmonizim më të mirë të punës tatimore dhe një sistem të drejtë dhe të barabartë tatimor për të gjithë.”, - deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, qëllimi i të cilit është që të ulet ekonomia e zezë në vend.
“TVSh-ja si një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave buxhetore, ju e dini, është një nga kontribuuesit më të mëdhenj i të ardhurave publike. Përmes sistemit të faturës elektronike do të kemi kontroll më të lehtë në pjesën se kush, çfarë dhe ndaj kujt faturon dhe në këtë mënyrë do t’i zvogëlojmë keqpërdorimet që janë bërë dhe që i kemi konstatuar në periudhën e kaluar. Andaj për mua është më e rëndësishme se përmes zbatimit të këtij projekti do të jemi të fokusuar në uljen e ekonomisë së zezë dhe njëkohësisht do të paraqesë një punë më transparente dhe të përgjegjshme edhe te sektori privat.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, thotë se përmes zbatimit të këtij projekti më nuk do të mund të keqpërdoret kthimi i parave nga TVSh-ja.
“Me zbatimin e faturës së re elektronike më nuk do të jetë e mundshme disa kompani fiktive të vjedhin 90, 100, 200 apo 300 milionë euro prej buxhetit të shtetit. Përmes këtij projekti është gati e pamundur që të na ndodhë që disa kompani “fantome” do të marrin pas mjetet nga TVSh-ja dhe brenda natës do t’i tjetërsojnë te persona fantazmë. Kjo mënyrë do të jetë e vështirë ose e pamundur.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Testimi i softuerit të faturës elektronike pritet të fillojë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ndërsa zbatimi i tij i detyrueshëm nga mesi i vitit 2026. Kompanitë private do të kenë kohë dhe mundësi përmes të punësuarve të DAP-it gjatë kësaj periudhe të njoftohen me të gjithë procedurën e sistemit të ri.
REXHEP QAMILI
