Maqedoni

Shfuqizimi i metodologjisë së regjistrimit, Fetai: Vendim i pritur, ishte antikushtetues

27.06.2025 14:36

Koalicioni VLEN nuk është i befasuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shkrirë ndarjen e deritanishme të popullatës në rezidente dhe jorezidente....

Koalicioni VLEN nuk është i befasuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shkrirë ndarjen e deritanishme të popullatës në rezidente dhe jorezidente. Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, thotë se kjo ka qenë e pritur pasi ish-pushteti BDI-LSDM me këtë ndarje kishte shkelur Kushtetutën. Edhe pse vendimi i kushtetueses nuk rrezikon regjistrimin e popullsisë së vitit 2021, Fetai nuk përjashton nga përgjegjësia penale ish-zëvendësdrejtorin e Entit të Statistikës, Ilmi Selami, për shkak të nënshkrimit të lidhur që kishte me drejtorin. Gjithashtu do të shikohet ndarja e buxhetit në komuna.
 
“I njëjti duhet të japë llogari për këtë shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Presim komente nga penalistët në lidhje me përgjegjësinë e mundshme penale të të njëjtit, për shkak të nënshkrimit të lidhur që e kishte aty. Tani që është e qartë që popullata e komunave nuk mund të ndahet në rezidente dhe jorezidente dhe se komunat dhe shteti kanë vetëm popullatë të përgjithshme që përcaktohet edhe me kushtetutë, duhet të rishikojmë modalitetet e shpërndarjes së mjeteve të shtetit në çdo nivel.”, - deklaroi zëvendësministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
 
BDI: Mexhiti rrezikon përqindjen e shqiptarëve
 
Nga Fronti Evropian edhe pse kanë marrë meritat për vendimin e kushtetueses duke u thirrur në iniciativën e deputetit të tyre, Skender Rexhepi, për ta kthyer diasporën si pjesë përbërëse e popullsisë, kanë kritikuar zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, kanë kritikuar vendimin, madje duke akuzuar zëvendëskryeministrin e parë se po e rrezikon përqindjen e shqiptarëve.
 
“Është tepër simptomatike që pikërisht në momentin kur z. Mickoski propozon idenë për një regjistrim elektronik, Izet Mexhiti del në opinion me shifra të diskutueshme rreth regjistrimit. Akoma më shqetësuese bëhet kjo situatë kur shohim se ai publikon tabela të pasakta, që lënë vend për dyshime mbi qëllimin e tyre. A është vallë kjo një veprim i koordinuar për të diskredituar rezultatin 29.5 % të shqiptarëve?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
Ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndarjen e qytetarëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, të bërë përmes metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021. Iniciativa u dorëzua nga deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, në tetor të vitit të kaluar, me arsyetimin se lëshimi i Qeverisë së ish-pushtetit kundrejt mërgatës duhet korrigjuar.
 
MERAL ISMAILI