Maqedoni

Puna njëvjeçare e MPJ-së, Mucunski me raport, qëndrim edhe për të ardhmen

27.06.2025 14:47

Vendi ynë nuk ka asnjë mekanizëm për të parandaluar miratimin e mundshëm të amendamenteve në Raportin e Progresit për RMV-në...

Vendi ynë nuk ka asnjë mekanizëm për të parandaluar miratimin e mundshëm të amendamenteve në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut, i cili duhet të votohet në fillim të korrikut në PE, e që i kanë paralajmëruar disa eurodeputetë, thotë ministri, Mucunski. Ai pret nga legjislativi evropian që t’i respektojë vlerat demokratike dhe të mos lejojë shtim të fjalës “moderne” para identitetit maqedonas. Forma se si kaloi raporti në Komitetin për punë të jashtme në PE, Mucunski e quan moment historik, por jo edhe triumf, derisa nuk votohet si i tillë në instancat më të larta.
 
“Cilat do të ishte dëmi nëse lejohet që Parlamenti Evropian të ndërhyjë në procesin e krijimit të identitetit të ri maqedonas, “identitet modern maqedonas” dhe sa ai akt nuk është i qenësishëm edhe për vetë BE-në? Me të drejtë formale ne nuk pyetemi dhe këtu dua të jem i sinqertë. Ne me angazhimin tonë, Qeveria, kryetarja e shtetit, unë si ministër, do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu referuar arsyes dhe vetëdijes në suaza të institucioneve të BE-së.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Mucunski ripotencoi se shteti nuk zhvendoset nga kursi për eurointegrim, por jo me kusht të heqjes dorë nga identiteti dhe gjuha maqedonase. Ka vërejte për Sofjen zyrtare se kohës së fundit sillet me retorikë të rrezikshme, kur mbrojtjen e identitetit nga pala jonë e quan gjuhë të urrejtjes. Komentet ministri Mucunski i tha në shpalosjen e punës njëvjeçare të këtij dikasteri. Sipas tij, në fillimin e angazhimit prej ministri është ndeshur me institucion pa sistem dhe pa rend, ndërkaq këtë vit ky institucion ka rivendosur themelet për një diplomaci të re stabile dhe profesionale, që fokus ka pasur mbrojtjen e interesave nacionale maqedonase në skenën ndërkombëtare. Ai renditi pikat ku është fokusuar angazhimi njëvjeçar diplomatik në skenën ndërkombëtare.
 
“Politikë e ndërtuar në bazë të tri postulateve: partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, harmonizim i tërësishëm me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe kontributi aktiv që shteti e jep në kuadër të Aleancës Veriatlantike.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Duke folur për përfitimet dhe detyrimet e të qenurit anëtare e NATO-s, Mucunski sqaroi se shteti ka kapacitet dhe plane për të ndarë 5% për mbrojtje nga Bruto Prodhimi i Brendshëm, ashtu siç u dakorduan shtetet anëtare të NATO-s në samitin e Hagës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU