Rajon
Zhvillimet politike në Kosovë, shtyhet vazhdimi i seancës së 38-të, Kurti fton në takim liderët partiakë
27.06.2025 15:00
Kurti, ka thirrur për të shtunën në takim të gjithë liderët e partive parlamentare për konsultim rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës....

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të afatizuar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thirrur për të shtunën në takim të gjithë liderët e partive parlamentare për konsultim rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Duke i marrë parasysh këto zhvillime, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në konsultim me grupet parlamentare e anuloi vazhdimin e 38 të kësaj seance, duke e caktuar vazhdimin e seancës për të dielën në ora 11:00.
“Të gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërpritet. Pasi të mbahet nesër takimi i liderëve politikë, që është ftuar nga subjekti më i madh politik, do të vazhdojmë me seancën më 29 qershor 2005 nga ora 11:00.”, - deklaroi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Konjufca: Takimi i liderëve, përpjekje për zhbllokim
Takimi i ftuar nga Kurti me liderët është edhe një përpjekje e re për zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit, deklaroi Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
“Leximi i VV-së është që përmes propozimit të votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit, nga ana e kryesuesit Avni Dehari, gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje. Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, unë mendoj se janë lexues të dobët të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.”, - theksoi Glauk Konjufca nga LVV.
Haxhiu: Tërhiqem, nëse nuk zgjidhem me votim të fshehtë
Ndërkohë kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse me votim të fshehtë nuk merr shumicën e nevojshme do të tërhiqet nga kandidatura.
“Me rastin e votimit të fshehtë, kur votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese, nëse unë si kandidate e propozuar nga LVV-ja nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit.”, - u shpreh kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Opozita fton Vetëvendosjen të reflektojë
Por, partitë opozitare i bëjnë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e pasur parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Tashmë është e qartë se gjatë kësaj periudhe, në një mënyrë ose tjetër është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj saance, duke na e imponuar vendimin në mënyrë të jashtëligjshme kundërkushtetuese, një vendim sa i përket komisionit për votim të fshehtë.”, - deklaroi Abelard Tahiri nga PDK.
“Na vjen keq që jemi betonuar rreth një emri, rreth një procedure dhe komplet Kosova gjendet në këtë ngërç institucional, për shkak të kokëfortësisë dhe mungesës së bashkëpunimit dhe kompromisit nga LVV-ja.”, - theksoi Hykmete Bajrami nga LDK.
Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Mbetet të shihet nëse takimi i së shtunës mes liderëve do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.
GYLTENE SINANI
