Maqedoni
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione, propozim-ligji javën tjetër në Komisionin e Venedikut
27.06.2025 15:15
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë pritet që javën tjetër t’i dorëzohet Komisionit të Venedikut për shqyrtim....

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë pritet që javën tjetër t’i dorëzohet Komisionit të Venedikut për shqyrtim. Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, tha se ky trup do ta vulosë ligjin, edhe përkundër faktit se është përpiluar në konsulta me disa shtete të BE-së me praktika të ngjashme të përfaqësimit adekuat.
“Projektligji do të dorëzohet, besoj gjatë javës së ardhshme, gjatë këtyre ditëve në Komisionin e Venedikut dhe pastaj do të presim fidbekun e tyre, që do t’i japë edhe një vulë ndërkombëtare këtij projektligji, i cili besojmë që është në përputhje qind për qind me Kushtetutën, në përputhje me praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim.”, - deklaroi zëvendësministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Fetai siguroi se propozim-ligji nuk preket nga vendimi i kushtetueses për shfuqizimin e metodologjisë së regjistrimit.
“Projektligji në fjalë nuk preket drejtpërsëdrejti nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. Çështja e kalkulimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat do të adresohet me akt nënligjor, që është metodologjia për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, e cila do të miratohet nga trupi koordinues, i cili do të themelohet menjëherë pas miratimit të ligjit në Kuvend.”, - theksoi zëvendësministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
Në Kuvend deputetët do të kenë mundësinë e ndërhyrjes në propozim-ligj nëpërmjet amendamenteve, pasi i njëjti të kthehet nga Komisioni i Venedikut.
MERAL ISMAILI
