Botë

Konkluzionet e Samitit të BE-së, BE-ja përballë marrëveshjes me ShBA-në për tarifat

27.06.2025 15:27

Udhëheqësit e BE-së në samitin e fundit në Bruksel janë përballur me një zgjedhje strategjike me pasoja të gjera...

Udhëheqësit e BE-së në samitin e fundit në Bruksel janë përballur me një zgjedhje strategjike me pasoja të gjera: të pranojnë një marrëveshje tregtare të shpejtë dhe të favorshme për Shtetet e Bashkuara ose të vazhdojnë të negociojnë për kushte më të barabarta. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, prezantoi para liderëve propozimet më të fundit nga Uashingtoni dhe tha se BE-ja është gati për një marrëveshje tregtare me Donald Trampin, por paralajmëroi që të gjitha opsionet mbeten në “tryezë” dhe se analizonte dokumentin e fundit negociues të ShBA-së.
 
“Morëm dokumentin e fundit të ShBA-së për negociata të mëtejshme dhe jemi duke e vlerësuar tani. Mesazhi ynë është i qartë, ne jemi gati për një marrëveshje. Në të njëjtën kohë, ne po përgatitemi për mundësinë që të mos arrihet një marrëveshje e kënaqshme. Kjo është arsyeja pse u konsultuam për një listë ribalancimi dhe ne do të mbrojmë interesin evropian sipas nevojës. Shkurt, të gjitha opsionet mbeten në tryezë.”, - deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Në krahun e mbështetësve për një marrëveshje të shpejtë qëndron kancelari gjerman, Fridrih Merz, i cili ka kërkuar një model të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe. Por, Franca mban një qëndrim më të fortë, duke kërkuar më shumë përfshirje të shërbimeve amerikane në negociata.
 
"Franca mbron përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje. Nuk është në favorin tonë që kjo të vazhdojë përgjithmonë. Nuk e them këtë vetëm si çështje parimore, por si çështje interesi vetjak. Sepse, për sa kohë që marrëveshja nuk është përfunduar, tarifat e tepërta në sektorë të caktuar do të vazhdojnë të zbatohen. Pra, nuk është mirë për ne dhe është në interesin tonë të veprojmë shpejt. Së dyti, unë jam në favor të një marrëveshjeje pragmatike, që nxjerr në pah elementet pozitive nga të dyja palët dhe është e balancuar.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni, është në favor të një marrëveshjeje të menjëhershme dhe ka deklaruar gatishmërinë për të pranuar tarifa 10%, njësoj si në marrëveshjen britanike. Nga ana tjetër, presidenti Donald Tramp ka kërcënuar publikisht se do të rrisë tarifat deri në 50% mbi mallrat evropiane, nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda muajit korrik. Megjithatë, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë theksoi se afati i 9 korrikut nuk është vendimtar, edhe pse “vendimi përfundimtar mbetet në dorën e presidentit”.
 
FARIJE DAUTI BAKIU