Maqedoni
Strugë, fillon rindërtimi i rrjetit të ujësjellësit
27.06.2025 17:33
Sot në Strugë nisi një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin dhe shëndetin publik...

Sot në Strugë nisi një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin dhe shëndetin publik. Bëhet fjalë për fillimin e fazës së parë të zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit prej çimento-azbesti, një investim i shumëpritur nga qytetarët. Ky projekt vjen si rezultat i përkushtimit institucional për të garantuar ujë të sigurt dhe rrjet modern furnizimi, theksoi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
“Sot ndodhem në Strugë për një qëllim shumë të mirë: fillon faza e parë e rindërtimit dhe zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit të çimento-azbestit në qytetin e Strugës. Në fazën e parë do të investohen 90 milionë denarë. Rekonstruksioni do të zgjasë 12 muaj dhe përfshin rrugën kryesore dhe gjithsej 13 degëzime, me një gjatësi totale prej 6.2 km.”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore theksoi se ky projekt ka qenë i domosdoshëm për Strugën.
“Ndihem krenar që vij nga Struga. Këto projekte qytetarët prej kohësh i kërkojnë, sidomos ndërrimin e gypave të azbestit, për të cilat kemi folur disa herë. Më në fund u kujtua qeveria dhe e përshëndes këtë projekt kapital, i cili do të jetë një gur i mirë për të gjithë për të vazhduar me të tjerët. Sigurisht, për këtë projekt do të duhen akoma investime dhe shpresoj që për 2 apo 3 vjet të ndërrohen të gjitha gypat. Struga besoj se ka nevojë për të tilla projekte.”, u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra.
Deputeti i zonës, Bekim Qoku paralajmëroi se investimet do të vazhdojnë me projekte të tjera në të mirë të Strugës.
“Para një muaj promovuam një projekt në hyrje të qytetit, ku do të ndërtojmë rrugën me një kosto prej 2,2 milionë eurosh. Tani kemi një investim prej 1,6 milionë euro për heqjen e azbestit, i cili ishte helm për qytetarët e Strugës, dhe do të vazhdojmë akoma me projekte të tjera.”, u shpreh deputeti Bekim Qoku.
Edhe pse Struga është një qytet turistik, z. Mexhiti theksoi se do të përkushtohet që gjatë punimeve të zhvilluara të sigurohet furnizimi i vazhdueshëm me ujë, në mënyrë që qyteti të mos mbetet pa ujë.
FITORE ISTREFI
