VLEN, regjistrimi i vitit 2021 ishte i manipuluar

28.06.2025 17:00

Koalicioni VLEN ka dalur me qëndrimin...

Koalicioni VLEN ka dalur me qëndrimin se një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ishte regjistrimi i popullsisë i vitit 2021.

Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes, kanë dekalaruar nga VLEN.

“Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare? Pyesim: Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fsh.Strimnicë të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë? Apo ka shpërngulur njerëzit në “botën e statistikave të fshehta”? Dhe si në çdo skemë mashtrimi, në fund u shtua edhe “qershia mbi tortë”: një kategori fantazmë,  “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”. Kjo kategori nuk ekziston në asnjë ligj, por prodhoi mbi 132.000 banorë të panjohur, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e vërtetë, ata të diasporës, u zhdukën qëllimisht nga numrat. Dhe më në fund, Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh, e rrëzoi këtë mashtrim të ligjshëm, duke shpallur antikushtetues ndarjen “rezident/jorezident”. – tha Blerim Sejdiu nga VLEN.

BDI, pushteti synon diskreditimin e regjistrimit

BDI, reagimet e VLEN i quan fushtë të koordinuar për diskreditimin e procesit të regjistrimit të popullsisë. Nga BDI theksojnë se regjistrimi i popullsisë ka qenë një proces ligjor dhe transparent, duke shtuar se është monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.

“Bashkimi Demokratik për Integrim ndjek me shqetësim të thellë fushatën e koordinuar për diskreditimin e procesit të fundit të regjistrimit të popullsisë, një proces ligjor, transparent dhe tërësisht i monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar. Kjo fushatë nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një skenari më të gjerë për të rishkruar të gjitha arritjet e dekadës së fundit, për të bërë një regjistrim të ri sipas agjendave të reja politike, dhe për të rikthyer pabarazinë sistematike. E gjithë kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, për të kontestuar barazinë e fituar me shumë mund dhe për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në vend. BDI dënon fuqishëm këtë përpjekje dhe njofton se çdo aktor politik, institucional apo propagandistik që synon të minojë rendin kushtetues, Marrëveshjen e Paqes, barazinë etnike dhe bashkëjetesën, do të mbajë përgjegjësi politike, ligjore dhe morale. Nuk do të lejojmë që dekada përpjekjesh dhe sakrificash të nëpërkëmben për interesa ditore politike. Paqe, barazi dhe bashkëjetesë janë vija të kuqe për të cilat BDI do të qëndrojë gjithmonë në ballë të mbrojtjes”, - theksojnë nga BDI.

Reagimet e partive shqiptare vijnë pasi kryemisnitri Hristian Mickoski ka paralajmëruar regjistrim të ri të popullsisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që se popullësia në vend nuk mund të ndahet në rezidente dhe jo rezidente.

Mickoski, thotë se duhet të realizohet regjistrim i ri në formë elektronike.

“Më së shpejti që mund ta bëjmë, është regjistrimi ektronik sipas rregullave të Euro- Stat, e ajo dihet si bëhet, kemi disa baza referentet të dhënash, ato kryqëzohen japin të dhëna dhe ka disa parametra që nuk munden me anë të kryqëzimit, ato janë rreth 10%, dhe ato vizitohen në teren.” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Sipas të dhënave të regjsitrimit të vitit 2021 të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është 2 milion e 97 mijë e 319 persona, prej të cilëve 54.21 për qind maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind romë, 1.18 për qind serbë dhe bashkësitë tjera më pak se 1 përqind. (Rexhep Qamili, TVM2)