ASH e Arben Taravarit, Mexhiti ishte pjesë aktive e regjistrimit

28.06.2025 18:11

Reagim lidhur me çështjen e regjsitrimit edhe nga ASH e Arben Taravarit...

Reagim lidhur me çështjen e regjsitrimit edhe nga ASH e Arben Taravarit, e cila thotë se në qendër të kësaj zhurme politike është ish-funksionari i lartë i BDI-së, Izet Mexhiti, i cili po përpiqet t’i ikë përgjegjësisë politike për atë që vetë e mbështeti dhe e votoi.

“Për ironi të fatit, Izet Mexhiti, që në vitin 2021 ishte nënkryetar i BDI-së, sot mundohet ta paraqesë veten si politikan i pastër dhe i padëmtuar, gati sikur ka zbritur para një viti nga qielli, duke harruar rolin që ka luajtur për dy dekada në keqqeverisjen shqiptare. Si mund të flasë për manipulim, ai që e votoi vetë Ligjin e Regjistrimit? Mexhiti ka qenë pjesë aktive e të gjitha vendimeve që kanë dëmtuar shqiptarët në këtë vend, duke nisur nga keqmenaxhimi tre mandatësh në Komunën e Çairit, deri te pozicioni si deputet dhe funksionar i BDI-së, ku aprovoi edhe vendimin  që përjashtoi mbi 300 mijë shqiptarë nga diaspora.  Habia më e madhe është se narrativa e Mexhitit për regjistrimin është e sinkronizuar me atë të Hristijan Mickoskit, i cili si vendim i parë si kryeministër nënshkroi përjashtimin e diasporës shqiptare nga përllogaritjet zyrtare. Kjo është goditja më e rëndë për përfaqësimin real të shqiptarëve, që nga pavarësia e shtetit. Z. Mexhiti, shqiptarët nuk janë 24.3% – ata janë më shumë se 29.5%. Nëse nuk jeni në gjendje të mbroni interesin kombëtar shqiptar, të paktën mos e shërbeni agjendën politike të atyre që shqiptarët i shohin si qytetarë të dorës së dytë,” - theksojnë nga partia e Taravarit.