BDI, reagim ndaj VLEN dhe Mickoskit për riregjistrim

29.06.2025 13:58

BDI me reagim ndaj koalicionit VLEN...

BDI me reagim ndaj koalicionit VLEN, qeverinë dhe kryemsinitrin Hristijan Mickoski, pas paralajmërimit për regjistrim të ri elektronik në vitin 2026.

Sipas BDI-së, përmes institucioneve të kapura, po tentohet rrënimi i barazisë etnike, heqja e gjuhës shqipe nga institucionet, dhe përjashtimi i shqiptarëve nga pozitat kyçe. 

“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet. Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”. Prandaj nuk na befasojnë as hapat e këtij segmenti të qeverisë, e as institucionet që ata kanë arritur t’i kapin, siç janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike etj. Secila prej tyre po punon aktivisht për zbatimin e programit elektoral të VMRO-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Por sipas BDI-së ajo që është më tronditëse, është se “mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, po e legjitimojnë dhe po e verifikon këtë politikë të pushtetit.

“Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it. Këto perpjekje nuk do te kalojnë. Për këtë i sigurojme edhe shqiptaret por edhe ata që janë duke i bere keto perpjekje të rrezikshme për ardhmërinë e shtetit”, thonë nga BDI.

VLEN: Regjistrimi i ri do të korigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së

Por nga VLEN thonë se BDI vazhdon të heshtë, lidhur me atë se për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi?

“Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik? Koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve "jorezidentë", duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare. Sqarojmë opinionin publik se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm. Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët”, theksojnë nga VLEN.  Nga ky koalicion theksojnë se VLEN mbetet fuqishëm në mbrojtje të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve.

“Tradhtia që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet asnjëherë. Ajo është njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari. Kjo është një fitore e së vërtetës dhe e drejtës. Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet pjesë legjitime e vendimmarrjes kombëtare”, theksojnë nga VLEN. 

ASH e Taravarit: Synohet masakër demografike ndaj shqiptarëve

Kundër regjistrimit të ri kanë dalur edhe nga ASH e Arben Taravarit, nga e cila vlerësojnë se regjistrimi i paralajmëruar për vitin 2026, është një nisëm e qeverisë monoetnike për masakër demografike ndaj shqiptarëve.

“Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend”, theksojnë nga partia e Taravarit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)