Kumanovë, Komuna aplikon në thirrjen e Qeverisë me 27 projekte

29.06.2025 15:42

Në thirrjen e dytë të Qeverisë së RMV-së...

Në thirrjen e dytë të Qeverisë së RMV-së për fondet nga kredia hungareze,  Komuna e Kumanovës ka aplikuar me gjithsej 27 projekte, me vlerë të përgjithshme rreth 800 milionë denarë, apo rreth 13 milionë euro, ka njoftuar kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Maksim Dimitrievski, tha se kjo është një shumë rekorde me të cilën komuna ka pasur mundësi të aplikojë gjatë këtyre 7 viteve e gjysmë, sa është ai në krye të Komunës, dhe se një mundësi e tillë nuk është ofruar më parë.

“Kjo është një shumë rekorde e fondeve për të cilat Komuna e Kumanovës ka mundësi të aplikojë gjatë këtyre 7 viteve e gjysmë. Diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë që të kemi mundësinë të realizojmë, përmes këtyre aplikimeve. Një program i vërtetë kapital për zhvillimin e qytetit,” - tha Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Ndryshe bëhet fjalë për projekte shumë të rëndësishme kryesisht nga rrafshi i infrastrukturës, respektivisht rikonstruimi i rrugëve.

Gazifikimi i qytetit, investim në objekte sportive, në ndërtimin e çerdheve për fëmijë si dhe rikonstruimi i Shtëpisë së pleqve "Zafir Sajto".

"Me këto 27 projekte me vlerë prej rreth 895 milionë denarë, sipas çmimeve projektuese, është aplikuar në thirrjen e Qeverisë. Që sipas metodologjisë së ndarjes së mjeteve, Komunës së Kumanovës i lejon të aplikojë në vlerë prej 806 milionë denarë, kurse mjetet tjera, nëse këto proekte miratohen do të plotësohen nga buxheti i komunës" – u shpreh Maksim Dimitrievski.

Këto projekte përfaqësojnë një hap të madh për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike në Kumanovë. (Fatlum Aqifi, TVM2)