Kuvendi i Kosovës, dështon vazhdimi i 39-të i seancës konstituive
Dështoi edhe përpjekja e 39-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Dështoi edhe përpjekja e 39-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi partitë opozitare PDK, LDK, AAK, “Nisma” dhe “Lista Serbe” refuzuan votimin e fshehur për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Dështimi i 39-të i seancës konstituive erdhi pas takimit të së shtunës të liderëve, të thirrur nga kryemsinitri Albin Kurti, i cili nuk dha rezultat konkret për zbllokimin e konstituimit të kuvendit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ka ofruar dy opsione kompromisi në takim.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vetë mbajtja e takimeve është pozitive, por se sipas tij “më pozitive do të ishte nëse Kurti do ta kuptonte që përgjegjësia e tij është më e madhe se e të gjithëve, dhe se vetëm atij dhe grupit më të madh parlamentar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë detyrim për të gjetur konsensus ose kompromis”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se “takimi ishte më tepër farsë publike se sa substancial”, pasi sipas tij qëndrimet e Kurtit ishin pak a shumë të njëjta.
