Maqedoni

Shkup, takimi i liderëve BE - Ballkani Perëndimor

30.06.2025 11:17

Sot dhe nesër në Shkup do të mbahet takimi i liderëve BE - Ballkani Perëndimor....

Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në kuadër të vizitës, fillimisht pritet të zhvillojë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me pas të marrë pjesë edhe në takimin e liderëve BE – Ballkani Perëndimor. 

 
Tema qendrore e takimeve do të jetë Plani për Rritje i Ballkanit Perëndimor, i cili synon të nxisë integrimin ekonomik dhe afrimin më të shpejtë të rajonit me Bashkimin Evropian.
 
Për pasditen e sotme është planifikuar një takim tet-a-tet mes komisionares evropiane dhe kryeministrit, pas së cilës do të pasojë edhe një takim i zgjeruar bilateral me delegacionet. Në takimin e liderëve do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ministra, përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare. Programi për të martën parasheh dy panele. Pas përfundimit të panelit të parë pritet të mbahet konferencë e përbashkët për media. Në takim në Shkup do të marrin pjesë edhe liderët e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.  
 
Për shkak të takimit të liderëve, në zonën qendrore të Shkupit është vendosur një regjim i veçantë i trafikut. Ministria e Punëve të Brendshme apelon tek qytetarët që të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e policisë.