Botë
Trampi merr vendimin, ndërpriten bisedimet tregtare me Kanadanë
30.06.2025 12:12
Tramp ka deklaruar se ka marrë vendim për t’i ndërprerë menjëherë bisedimet tregtare me Kanadanë...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, ka deklaruar se ka marrë vendim për t’i ndërprerë menjëherë bisedimet tregtare me Kanadanë, përderisa kryeministri kanadez, Mark Karnej, ka sugjeruar se bisedimet do të vazhdojnë.
Kanadaja synon që të fillojë me zbatimin e një politike të re tatimore që ka për cak kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë. Lëvizja më e fundit, të cilën presidenti amerikan e ka njoftuar në rrjetet sociale, është bërë në kohën kur të dyja vendet kanë qenë duke punuar për të arritur një marrëveshje tregtare deri në mes të muajit korrik. Si ShBA-ja ashtu dhe Kanadaja kanë vendosur tarifa ndaj mallrave të njëra-tjetrës, pasi Trampi kishte nxitur një luftë tregtare disa muaj më parë, si dhe kishte kërcënuar se do ta aneksojë Kanadanë nëpërmjet përdorimit të “forcës ekonomike”.
Presidenti amerikan është shprehur se po u jepte fund bisedimeve, për shkak të asaj që e klasifikoi si “taksë të egër” ndaj kompanive amerikane të teknologjisë, teksa ka shtuar se do të shpallte tarifa të reja për mallrat që kalojnë kufirin brenda javës së ardhshme. Taksa prej 3 për qind për shërbimet digjitale e Kanadasë ka qenë pikë tensioni në marrëdhëniet e saj me ShBA-në, që nga hyrja në fuqi e ligjit vitin e kaluar. Ndërkaq, pagesat e para janë planifikuar të realizohen javën e ardhshme.
