Lëshoi dron për të fotografuar nga lart Shtëpinë e Bardhë, përfundon nën pranga

15.05.2015 13:46

Duket se loja me dronët vëzhgues, po kthehet në një kalim kohe interesant për njerëzit në mbarë botën, por jo gjithnjë kjo “lojë” është zbavitëse për policinë, sidomos kur dronët lëshohen mbi objekte të sigurisë së veçantë...

Një person u arrestua në Uashington pranë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa tentonte të ngrinte në fluturim një dron mbi rezidencën e Presidentit Barack Obama.

Shumë prej rrugëve në zonë u mbyllën nga policia si masë paraprake, edhe pse vetë Obama ishte në Camp David në një takim me liderë të gjashtë vendeve të Gjirit Persik.

Personi i ndaluar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, po merret në pyetje nga agjentët e shërbimit sekret. Sipas një zyrtari federal, i cili foli për "Associated Press" në kushte anonimati, nuk është ende e qartë nëse i arrestuari kishte vërtet ndonjë synim ndaj Shtëpisë së Bardhë apo thjesht dëshironte të përdorte mekanizmin për të marrë disa foto nga ajri.

Por ai e mësoi në mënyrën më të pakëndshme, se ka disa gjëra me të cilat nuk mundesh as të luash, e një nga këto është edhe lëshimi I droneve mbi shtëpinë e parë të Amerikës.