Maqedoni

Murtezani: Procesi i zgjerimit nuk është i bllokuar

30.06.2025 14:14

Murtezani theksoi se procesi i zgjerimit nuk është bllokuar, ai është gjallë dhe po vazhdon....

Me rastin e njëvjetorit të qeverisjes, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, theksoi se procesi i zgjerimit nuk është bllokuar, ai është gjallë dhe po vazhdon. Theksoi se në takimet bilaterale me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos, që po qëndron në Shkup, përveç planit të rritjes do të bisedohet për gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë. Sikurse edhe kryeministri, edhe Murtezani tha se Qeveria nuk premton mrekulli, por punë të ndershme, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme. 
 
“Procesi i integrimit të vendit në BE nuk është vetëm vetoja e Bullgarisë, pra procesi nuk është i bllokuar, ai është i gjallë dhe në shumë segmente po vazhdon. Vetoja e Bullgarisë nënkupton pengesë për hapjen e negociatave në bazë të kornizës negociuese. Ajo se përse ne po fokusohemi shumë me planin e rritjes është për arsye se BE-ja përmes kësaj kornize u mundëson qasje qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në shërbime, të cilat ekskluzivisht kanë qenë vetëm për anëtarë të BE-së. Sa i takon pjesës së hapjes së negociatave dhe gjetjen e zgjidhjeve, ne gjithmonë kemi shprehur gatishmëri, mirëpo për fat të keq tendenca e bilateralizimit, përfshi këtu edhe me rezolutën në Parlamentin Evropian i vërteton pozicionet tona se bilateralizimi do të vazhdojë edhe më tej.”, - deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Vizita e Marta Kosit, Murtezani: Do të bisedojmë për zhbllokim të vendit
 
Ai tha se struktura negociuese është rishikuar dhe se 150 institucione dhe mbi 800 ekspertë do të marrin pjesë në përgatitjen e pozicioneve negociuese. Si një instrument kyç për progres, ai përmendi planin e rritjes dhe agjendën e reformave, përmes të cilave janë siguruar burime financiare dhe mbështetje për reformat. Edhe pse disa ministri nuk i kanë realizuar ato, Murtezani tha se fondet evropiane nuk janë të rrezikuara, duke theksuar se ato do të jenë nëse nuk i përfundojmë me sukses këto reforma brenda periudhës shtesë 12-mujore.
 
“Motivi më i madh për energjinë reformuese u dha nga plani për rritje dhe agjenda reformuese. I përfunduam të gjitha procedurat ligjore para vendeve të tjera të rajonit dhe i kemi tërhequr mjetet nga parapagesa në vlerë prej 52.5 milionë eurosh. Dorëzuam edhe kërkesën e parë për lirimin e mjeteve – prej rreth 17 milionë euro, prej të cilave mbi 9 milionë janë për investime kapitale.”, - theksoi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Është përfunduar programi i IPA-s 2025-2027, me 67 milionë euro të alokuara drejt sektorëve strategjikë, përfshirë edhe sundimin e ligjit, arsimin, administratën publike dhe inovacionet. Kjo, sipas Murtezanit, tregon angazhimin e Qeverisë për ta sjellë Evropën në vendin tonë.
 
FLORIJE KAMBERI