Rajon

Kurti: I gatshëm për konsultime dhe kompromis

30.06.2025 14:29

Kurti thotë se është i gatshëm për konsultime dhe kompromis me partitë opozitare....

Në funksion të konstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, thotë se është i gatshëm për konsultime dhe kompromis me partitë opozitare. Por, ai kritikoi opozitën për refuzimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. 
 
“Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise: i pari është ai që t’i delegojnë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk shkohet përpara dhe pasi të rrëzohet ai komision të kthehemi te votimi i hapur. Të kemi marrëveshje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve. Ose propozimi tjetër është ofruar njëanshëm nga Albulena Haxhiu, e cila siç e dini, ajo ka deklaruar të premten se, nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të pranojë të votohet dy herë për të, pra, do të tërhiqet. Le ta provojnë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Por, partitë opozitare deri më tani janë shprehur kundër ndryshimit të formës së votimit, nga i hapur në të fshehur, pasi vlerësojnë se mënyra e votimit nuk mund të ndryshohet pasi ka filluar seanca. Në pritje të dakordimit ndërpartiak, të martën do të mbahet vazhdimi i 40-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Por, marrë parasysh qëndrimet e ndara mes partive, lind dilema nëse do të arrijnë që brenda afatit 30-ditor, të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit?
 
GYLTENE SINANI