Botë
Privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”, ka nisur gjyqi ndaj Berishës për korrupsion
30.06.2025 14:56
Ka nisur me shtyrje seanca e parë gjyqësore ndaj Sali Berishës, i akuzuar për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”....

Ka nisur me shtyrje seanca e parë gjyqësore ndaj Sali Berishës, i akuzuar për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Sali Berisha nuk u shfaq në sallën e gjyqit, me avokatët që pretenduan se ai nuk ishte njoftuar sipas ligjit.
Në mungesë të Berishës dhe me kërkesë të prokurorit të SPAK-ut, Arben Krajës, i cili deklaroi se ish-kryeministri nuk është njoftuar në përputhje me ligjin, treshja gjykuese e shtyu seancën për më datën 21 korrik.
Vetë Berisha, që i ndoqi në distancë zhvillimet nga struktura e posaçme, anuloi edhe konferencën e çdo të hëne, ndërsa gjyqin e komentoi nga rrjetet sociale si një piramidë mashtrimi.
Kryesuesja e trupës gjykuese, Elsa Ulliri, mësohet të ketë paraqitur një kërkesë për të hequr dorë nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Shkak, lidhja farefisnore me një prej deputeteve të PD-së, Andia Ulliri. Gjykata nuk e konfirmoi kërkesën për dorëheqje, por njoftoi se gjithçka do të mësohet më 21 korrik.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se në cilësinë e kryeministrit ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore për privatizimin e kompleksit sportiv, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
LULJETA NDOKA
