VLEN-i denoncon regjistrimin: Shqiptarët paraqiten më pak se sa janë

30.06.2025 15:17

Regjistrimi i popullsisë vazhdon të mbetet temë e përplasjeve politike...

Regjistrimi i popullsisë vazhdon të mbetet temë e përplasjeve politike të partive shqiptare në vend. VLEN-i thekson se, BDI nëpërmjet regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ka minuar realitetin e shqiptarëve në vend.

Nga koalicioni në pushtet kanë prezentuar shifra, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se me regjistrimin e vitit 2021, shqiptarët janë paraqitur më pak se sa në të vërtetë janë në vend. 

“Në fshatin Ladorisht, janë regjistruar vetëm 1.344 banorë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 qytetarë apo mbi 1.000 më shumë. Në Veleshtë, janë regjistruar 2.196 banorë, por votuan 2.377 apo rreth 200 më shumë. Në Livadhi sërish rezultojnë më shumë votues sesa banorë të regjistruar. A me këso veprime synuat zbehjen e prezencës shqiptare në vend?”, - deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.

BDI kundër kritikave për regjistrimin: Fushatë e dirigjuar nga partitë maqedonase

BDI fushatën e regjistrimit të popullsisë e quan strategji të mirëkoordinuar, siç thonë për të dobësuar themelet e barazisë në këtë shtet.

“BDI shpreh shqetësim të thellë për fushatën e re të realizuar nga mbetjet e VLEN-it, të porositur nga VMRO-DPMNE dhe Lëvizjes “E di”, kundër regjistrimit të popullsisë,  një proces thelbësor për funksionimin demokratik dhe multietnik të shtetit. Kjo strategji është trishtuese dhe e paprecedentë në historinë e pluralizmit në vend. Nuk ka ndodhur më parë që për politika kaq haptazi antishqiptare, partitë maqedonase të përdorin si “mashë” partitë shqiptare për të përgatitur terrenin për ndërhyrje institucionale.”, theksojnë nga BDI.

ASh kritikon planin e punësimit: Populizëm dhe jotransparencë para zgjedhjeve

Nga ana tjetër, ASh-ja e udhëhequr nga Arben Taravari kritikoi planin operativ për punësim të Qeverisë, duke nënvizuar se ky plan është jotransparent dhe propagandues në periudhë para zgjedhjeve lokale.

“Tentimet për ta paraqitur këtë plan si ambicioz, por jo gjtihëpërfshirës, tentimi për të pretenduar fokus më të madh te të rinjtë në një periudhë që vendit gjithnjë e më shumë i mungojnë të rinjtë dhe duke lënë grupet e tjera pas, mungesë e qartë e transparencës në ndarjen e mjeteve dhe përzgjedhjen e përfituesve, lënia jashtë loje e sektorit privat ekzistues, dhe më kryesorja, mungesa e një qasjeje serioze për matjen e rezultateve në mënyrë serioze, janë dëshmi e mjaftueshme se ky plan në vete ka doza të theksuara populizmi, pikërisht kur jemi në prag të zgjedhjeve lokale.”, - u shpreh Arben Halili nga ASh-Taravari.

Nga ASh-ja kërkojnë zgjerim të mbështetjes për kategoritë e margjinalizuara, sidomos gratë, dhe të papunët afatgjatë. (Ersan Pajaziti, TVM2)