Afati i dytë i regjistrimit në shkolla të mesme, interesim i dobët për drejtimet profesionale
Gjatë ditës së sotme u bë regjistrimi elektronik...

Gjatë ditës së sotme u bë regjistrimi elektronik për afatin e dytë i gjysmëmaturantëve në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2025/2026.
Dokumentacioni i nevojshëm do t’u dorëzohet shkollave nesër dhe lista e nxënësve të regjistruar do të publikohet të mërkurën (2 korrik) deri në orën 12:00.
Nga shkolla e mesme “Boro Petrushevski” thonë se nxënësit kanë pak interesim për drejtimet profesionale, thekson se ka afër 108 vende të lira për t’u regjistruar.
“Në afatin e dytë 5 deri 6 nxënës deri më tash kanë aplikuar. Nuk jemi të kënaqur në këtë regjistrim për këtë vit shkollor, por shpresojmë që deri kah fundi i shtatorit do të kemi një numër të konsiderueshëm që të mund t’i mbajmë paralelet. Shkolla jonë ka drejtime interesante të komunikacionit rrugor, kemi teknik transport dhe shpedicion, kemi teknik me repart alternative, teknik i makinerisë për automjete motorike, drejtime interesante ku kërkohen në tregun e punës, por për fat të keq nxënësit shqiptarë nuk orientohen tek drejtimet profesionale.”, - theksoi drejtori i shkollës së mesme “Boro Petrushevski”, Zekirja Zekiri.
“Nga viti i ardhshëm shkollor mund të bëhet që nxënësit të orientohen prej në shkolle fillore, në klasën e tetë dhe të nëntë dhe të orientohen sipas kriterit që e kanë sipas suksesit.”, - u shpreh profesori, Kastriot Kasapi.
Për nxënësit që nuk do të regjistrohen në shkollën e mesme në afatin e qershorit, mundësia tjetër është afati i gushtit në shkollat ku do të ketë vende të lira.
Regjistrimi elektronik do të jetë më 21 gusht dhe dokumentacioni i kërkuar do të duhet të dorëzohet në shkolla në të njëjtën ditë.
Lista përfundimtare me rezultatet e regjistrimit do të publikohet më 22 gusht. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
