Luftë me zjarret, Turqia, Franca dhe Kanadaja nën flakë

30.06.2025 16:33

Turqia është goditur nga 77 zjarre...

Turqia është goditur nga 77 zjarre, nga të cilat 53 kanë përfshirë sipërfaqe pyjore. Situata më e rëndë paraqitet në qytetin e Izmirit, ku disa banesa janë djegur plotësisht dhe dhjetëra lagje janë evakuuar.

Zjarri që shpërtheu në kufirin mes distrikteve Menderes dhe Seferi-Hisar është përhapur me shpejtësi në zonat e banuara, duke detyruar autoritetet të shpëtojnë banorët e bllokuar nga flakët.

"Kaluam nëpër ferr dhe u kthyem, na thanë të largohemi, por nuk e kishim idenë më parë për seriozitetin, tani e kemi.", - tha një qytetar.

"Zjarri erdhi papritur dhe përfshiu gjithçka sa hap e mbyll sytë. Ata po korrnin të korrat, zjarri shpërtheu në kashtë. Erdhi papritur, biri im, erdhi papritur.", - tha një qytetar tjetër.

 Zjarre kanë shpërthyer edhe në Francë pranë qytetit Narbone në zonën Bizanet. Janë djegur qindra hektarë tokë. Në kulmin e operacionit, mbi 650 zjarrfikës, të ndihmuar nga avionë Canadair, Dash dhe helikopterë, luftuan për të izoluar flakët. Dhjetëra banorë dhe pushues u evakuuan si masë sigurie.

“Shtëpia ime është këtu. Është fat që zjarrfikësit ishin aty për të ndaluar zjarrin.”, - tha një qytetar.

“Zjarrfikësit e stabilizuan zjarrin, por flakët arritën deri tek prona jonë. Tani është nën kontroll, por ata do të qëndrojnë gjithë natën, se ende ka vatra që rindizen.”, - tha një qytetar tjetër.

Zjarre ka pasur edhe në ShBA. Përpjekja e zjarrfikësve për të shuar vatrat e zjarrit ka përfunduar me një tjetër tragjedi, pasi piromani apo zjarrvënësi ka vrarë dy zjarrfikës dhe një tjetër është plagosur në Idaho të ShBA-së.

"Humbëm një zjarrfikës nga Coeur d’Alene dhe një nga Kootenai County Fire and Rescue. Një zjarrfikës tjetër sapo doli nga operacioni dhe  lufton për jetën, por gjendja e tij është e qëndrueshme. Mendojmë se i dyshuari e nisi zjarrin qëllimisht dhe se ishte një kurth, gjithçka që bëri ishte e qëllimshme. Ata u qëlluan gjatë një sulmi të armatosur teksa po punonin për shuarjen e një zjarri pyjor në zonën malore të Canfield Mountain, pranë qytetit Coeur d’Alene. Agresori  përdori një snajper, e kishte ndezur zjarrin qëllimisht për të tërhequr forcat zjarrfikëse në kurth.”, - deklaroi sherifi, Robert Norris.

Më shumë se 300 efektivë policie nga nivele të ndryshme, përfshirë agjentë federalë dhe helikopterë me snajperë, morën pjesë në operacionin e ndërlikuar.

Zyrtarët nuk dhanë ende informacione mbi identitetin e sulmuesit apo motivin e tij, duke theksuar se hetimet janë në fazë fillestare dhe pritet të zbulohen edhe armë të tjera në vendngjarje. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)