Sulme të reja izraelite në Gazë, dhjetëra të vrarë, OKB paralajmëron për krizë humanitare
Sulmet ajrore izraelite goditën një shkollë...

Sulmet ajrore izraelite goditën një shkollë që strehonte të zhvendosur në lagjen “Zeitoun” të Gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra civilë.
Në serinë e këtyre sulmeve, të paktën 90 persona janë vrarë edhe në Khan Junis, Jabalia dhe në qendër të Gazës.
Pamjet tregojnë banorë që vrapojnë për t’u strehuar teksa raketat godasin ndërtesa pranë Jabalisë. Dëshmitarët shprehen për një situatë katastrofike, ndërsa spitalet janë të mbingarkuara. Ndërkohë, Izraeli thotë se do të vazhdojë sulmet derisa të arrijë objektivat.
"Hamasi dëshiron t'i japë fund kësaj lufte duke kontrolluar në mënyrë efektive Gazën. Kjo nuk do të mundësojë sigurinë e Izraelit. Kjo nuk do të lejojë stabilitetin rajonal. Hamasi po përpiqet të përdorë pengjet për të imponuar këtë rezultat. Por, ne jemi të përkushtuar për të arritur objektivat tona. Ne do të preferonim ta bënim këtë me mjete diplomatike. Por, nëse kjo nuk është e mundur, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të përdorim mjete ushtarake.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar.
Marrëdhëniet e Izraelit me Evropën po rëndohen çdo ditë e më shumë nga sulmet izraelite në Gazë, shprehet ministrja e Jashtme e Austrisë, e cila kërkon zgjidhje paqësore.
"Ekziston një mundësi e vërtetë për të ecur drejt paqes në Gazë, pikërisht sepse situata aktuale është e paqëndrueshme. Kushtet humanitare në terren janë të padurueshme. Ata kërkojnë ndryshime urgjente. Më lejoni të jem i sinqertë. Vuajtjet e civilëve po rëndojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e Izraelit me Evropën.", - theksoi ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
Banorët në Gazë vdesin edhe nga uria, për shkak kufizimit të ndihmave. OKB-ja kërkon rifillimin e plotë të shpërndarjes së ndihmave humanitare dhe heqjen e kufizimeve ndaj UNRVA-s.
Organizata paralajmëron se mekanizmat e reja të shpërndarjes së ndihmave, të mbështetur nga ShBA-ja dhe Izraeli, po përshkruhen nga dëshmitarët si "fusha vrasjeje".
“Shikoni këtë shfaqje të pafundme tmerri! Kanë kaluar më shumë se 600 ditë nga ky tmerr që është bërë shumë, shumë më keq nga bombardimet, nga rrethimi, nga ndalimi i UNRVA-s për të sjellë furnizime dhe nga kjo valë e nxehtësisë që po kalon ky rajon me pak ujë në dispozicion për njerëzit në Gazë. Ne nuk kemi më rezerva ushqimore prej dy muajsh.”, - u shpreh drejtoresha për Komunikim në UNRVA, Xhuliet Touma.
Teksa sulmet vazhdojnë, bashkësia ndërkombëtare bën thirrje për dialog dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare. Por, realiteti në Gazë mbetet një krizë që përkeqësohet çdo ditë.
Krahas sulmeve të tij, Izraeli që nga 2 marsi i ka mbyllur kalimet e Gazës për ndihmën ushqimore, mjekësore dhe humanitare, duke thelluar krizën humanitare në enklavën palestineze. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
