Plani i rritjes, mblidhen liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Komisionerja për zgjerim, Marta Kos...

Komisionerja për zgjerim, Marta Kos, u mirëprit në pallatin qeveritar nga kryeministri Mickoski dhe anëtarë të kabinetit të tij. Plani europian i rritjes ishte boshti i këtij takimi kokë më kokë, duke mos lënë anash as procesin eurointegrues dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane.
“Kryeministri Mickoski theksoi përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë për integrim në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave thelbësore në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital. Komisionerja Kos përshëndeti agjendën reformuese të Qeverisë dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për përparimin e Rajonit në rrugën evropiane.”,- nënvizohet në kumtesën e Qeverisë.
Plani i rritjes ka për qëllim që të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut, teksa parashikon në total një mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh.
2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital. Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.

Ndërkohë, kryeparlamentari, Afrim Gashi, takoi drejtoreshën e Shërbimit Evropian të Punëve të Jashtme të BE-së, Zuzana Sutijakova. Në takim u shkëmbyen mendime mbi reformat e zbatuara.
“Kryetari Gashi shprehu gatishmërinë për zbatimin e kushtit të fundit për vazhdimin e procesit të negociatave, duke apeluar që të mos lejohet bilateralizimi i mëtejshëm i procesit. Sutijakova vuri në dukje përdorimin e perspektivave të hapura dhe hapjen e kapitujve të negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. Bashkëbiseduesit folën edhe për zgjidhjet ligjore për përfaqësim të drejtë dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.”,- thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeparlamentarit.
Nesër pritet të jenë zhvillimet kryesore me mbërritjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Mali të Zi dhe Serbisë.
"Të gjithë liderët së bashku, përfshirë këtu edhe kryeministrin Mickoski, së bashku me eurokomisioneren Kos, do të flasin për zhbllokimin e fondeve - pjesë e planit europian të rritjes që tek qyetarët të sjellin plane konkrete dhe të prekshme për mirëqënien e tyre, pra për të gjithë qytetarët e vendeve të cilat aspirojnë Bashkimin Evropian."
Takimi në Shkup shihet po ashtu si mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit sikurse mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët me atë të BE-së. Eurokomisionerja Kos do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh. (Meral Ismaili, TVM2)
