Maqedoni

Nga viti i ardhshëm, dëftesat në formë elektronike

01.07.2025 13:31

Që nga viti i ardhshëm, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk do të kenë më nevojë për dëftesa të printuara...

Që nga viti i ardhshëm, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk do të kenë më nevojë për dëftesa të printuara, pasi ato do të jenë vetëm në formë elektronike. Edhe pse kjo mund të bëhej që këtë vit, vendimi do të nisë të zbatohet nga viti i ardhshëm, theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, sipas së cilës ky ndryshim nuk do të sjellë shpenzime për prindërit dhe njëkohësisht do të lehtësojë regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme.
 
“Edhe tani sistemi, respektivisht ditari elektronik, mundëson printimin e dëftesave elektronike. Për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën nuk ka nevojë për dëftesa fizike. Dëftesa nga klasa e nëntë u nevojitet vetëm për t’u regjistruar në shkollë të mesme. Por, shkollat e mesme zakonisht kërkojnë edhe dëftesat e mëparshme. Këtë mund ta bëjmë edhe këtë vit, por do ta realizojmë nga viti i ardhshëm. Shkolla e mesme, pasi nxënësit të aplikojnë online, do t’i tërheqë dëftesat në mënyrë elektronike për të verifikuar suksesin ose çfarëdo kriteri tjetër që kanë. Në fakt, prindërit dhe nxënësit nuk kanë më nevojë ta kenë dëftesën në dorë, përveç ndoshta për t’u mburrur.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Njëjtë si shkollat e mesme, edhe universitetet do të mund të tërheqin dëftesat nga arsimi i mesëm në mënyrë elektronike, gjatë procesit të regjistrimit të studentëve të rinj.
 
“Ata që duan të vazhdojnë studimet jashtë vendit, dhe unë shpresoj që ky numër të jetë gjithnjë e më i vogël, duhet të kenë dëftesën e klasës së nëntë dhe diplomën e maturës për t’u regjistruar në një universitet të huaj. Edhe shkollat e mesme, edhe universitetet mund t’i tërheqin në mënyrë elektronike.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Për formën elektronike, një pjesë e popullatës, veçanërisht në zonat rurale, ende nuk është e përgatitur për këtë hap drejt digjitalizimit, pasi ekziston një përqindje e caktuar e analfabetizmit digjital. Ministrja shtoi se në këto zona, nëse nxënësve nuk u jepet dëftesa në dorë, prindërit dhe vetë nxënësit shpesh nuk e dinë nëse viti shkollor është përfunduar me sukses. Për këtë arsye, ajo nuk e përjashton mundësinë që në shkollat ku kërkohet, nxënësve t’u jepet një dokument që dëshmon mbarimin me sukses të vitit. Megjithatë, ministrja u shpreh optimiste se vitin e ardhshëm, të paktën 80-90 për qind e dëftesave do të jenë vetëm në formë elektronike.
 
ARMEND MURSELI